TAGS-AT E JAVËS

Politike17 Qershor 2026, 11:09

Projektligji për financimin e partive, Komisioni i Venecias shpreh rezerva për drafin: Kontrolloni paratë e fshehta

Shkruar nga Pamfleti

Komisioni i Venecias kërkon rishikim të thellë të projektligjit për financimin e partive politike në Shqipëri, duke vënë theksin te transparenca, kontrolli i donacioneve të fshehta dhe forcimi i rolit të KQZ-së. Ekspertët e Këshillit të Europës paralajmërojnë se pa këto përmirësime, kuadri ligjor mbetet i cenueshëm ndaj abuzimeve dhe mungesës së llogaridhënies.

Projektligji për financimin e partive, Komisioni i Venecias shpreh rezerva
Pr.ligji për financimin e partive, Komisioni i Venecias shpreh rezerva për drafin

Komisioni i Venecias ka dhënë opinion e saj për projektligjin që rregullon financimin e partive politike në Shqipëri, i hartuar me dakordësinë e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike.

Ekspertët e Këshillit të Europës kërkojnë një sërë përmirësimesh përpara se drafti të miratohet përfundimisht në Kuvend.

Në opinionin e miratuar gjatë sesionit plenar të zhvilluar më 12 dhe 13 qershor, Komisioni e konsideron nismën si një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të kuadrit ligjor, rritjes së transparencës dhe forcimit të kontrollit mbi burimet financiare dhe shpenzimet e subjekteve politike.

Pavarësisht këtij vlerësimi, dokumenti përfshin gjashtë rekomandime kryesore që synojnë të adresojnë boshllëqet e identifikuara në draft. Një ndër shqetësimet e ngritura lidhet me nevojën për mbikëqyrje më të fortë të financimeve të fshehta dhe të donacioneve që vijnë nga jashtë vendit. Komisioni kërkon gjithashtu zgjerimin e kompetencave dhe kapaciteteve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Sipas rekomandimeve, rregullat që lidhen me financimin e përditshëm të partive politike dhe ato që zbatohen gjatë fushatave zgjedhore duhet të jenë të harmonizuara dhe të mos krijojnë kundërshti mes tyre.

Ekspertët kërkojnë gjithashtu që dispozitat kryesore të përcaktohen drejtpërdrejt në ligj, ndërsa aktet nënligjore të kufizohen vetëm në çështje teknike. Në të njëjtën kohë, çdo rregullore e miratuar nga KQZ-ja ose Këshilli i Ministrave duhet të mbështetet në kritere të qarta, objektive dhe të parashikueshme.

Një tjetër rekomandim lidhet me financimin indirekt dhe të fshehtë. Komisioni sugjeron rregullim më të plotë të rasteve kur fondet kalojnë përmes palëve të treta, organizatave të lidhura ose entiteteve që kontrollohen nga partitë politike.

Në raport kërkohet gjithashtu që pasqyrat financiare të partive të jenë më të detajuara. Ato duhet të përfshijnë të gjitha burimet e të ardhurave, shpenzimet, pasuritë, detyrimet financiare, kreditë, huatë, borxhet, garancitë, kontributet në natyrë, shërbimet e ofruara nën vlerën e tregut, transaksionet me subjektet e lidhura, mbështetjen publike në natyrë, shpenzimet për median dhe komunikimin dixhital, si edhe fondet e dedikuara për barazinë gjinore dhe përfaqësimin e të rinjve.

Komisioni sugjeron që raportimi financiar të mos kufizohet vetëm në periudha të caktuara, por të zhvillohet më shpesh, veçanërisht gjatë viteve kur mbahen zgjedhje.

Një pjesë e rëndësishme e opinionit fokusohet te roli i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Sipas Venecias, duhet të krijohen mekanizma të qartë bashkëpunimi mes KQZ-së dhe institucioneve të tjera shtetërore. Po ashtu, institucioni duhet të pajiset me mandat të qartë, kompetenca të plota dhe burime të mjaftueshme për të monitoruar në mënyrë aktive financimin politik.

Ekspertët kërkojnë që KQZ-ja të ketë mundësi të hetojë shkeljet e dyshuara të rregullave të financimit, ndërsa struktura e posaçme që parashikohet të krijohet brenda saj për monitorimin dhe kontrollin e financave të partive të ketë garanci të mjaftueshme për pavarësinë e funksionimit. Gjithashtu, rekomandohet forcimi i pavarësisë së ekspertëve kontabël që auditojnë raportet financiare të partive.

Në lidhje me masat ndëshkuese, Komisioni i Venecias propozon rishikimin e sistemit të sanksioneve. Sipas opinionit, ligji duhet të parashikojë penalitete për çdo shkelje të detyrimeve dhe ndalimeve të përcaktuara, ndërsa autoritetet duhet të kenë në dispozicion një gamë më të gjerë masash që të jenë efektive, proporcionale dhe parandaluese.

Dokumenti sugjeron edhe rritjen e disa gjobave administrative. Ndërkohë, ndalimi i pjesëmarrjes së një partie në zgjedhje duhet të përdoret vetëm në raste të rënda, si masë e fundit, pasi subjektit politik t’i jetë dhënë mundësia për të korrigjuar shkeljen dhe vetëm pas një procesi të plotë kontrolli gjyqësor.

Opinioni i Komisionit të Venecias pritet të merret në konsideratë gjatë shqyrtimit të mëtejshëm të projektligjit në Kuvend.

 

pr.ligji për financimin e partive

1 Komente

  1. H
    Hyka Zenel

    Perse duhet te financohen partite politike?, dhe perse nga buxheti i shtetit?. kjo eshte e padrejte. Partite te vendosin kuotizacione anetaresise se tyre dhe te punojne me rrjetet sociale. keto fonde shteti ti perdore atje ku populli apo shtresat vulnerabel, kane me shume nevoje. Sidomos me keto listat e mbyllura nuk ka nevoje fare te dalin ne fushate, ndersa ata ne listat e hapura te ecin me shpenzimet e veta, donacion te deklaruara, etj, neqoftese duan te behen deputete.

    Lini një Përgjigje