Botërori 2026, turneu i parë në histori me pjesëmarrjen e 48 kombëtareve, ka nisur numërimin mbrapsht drejt finales së madhe që do të zhvillohet në stadiumin “MetLife”. Krahas rivalitetit në fushë, vëmendje tërheqin edhe përfitimet financiare të trajnerëve që drejtojnë ekipet pjesëmarrëse.
Sipas të dhënave të publikuara nga “Calcio&Finanza”, trajneri më i paguar i Botërorit është Karlo Ançeloti. Tekniku italian, i cili së fundmi mori drejtimin e Brazilit, përfiton 10 milionë euro në vit pas marrëveshjes së re me Federatën Braziliane të Futbollit. Ançeloti do të ketë si objektiv rikthimin e “Seleçaos” te titulli botëror, trofe që mungon prej vitit 2002.
Në vendin e dytë renditet trajneri i Anglisë, Tomas Tuhel. Gjermani përfitonte rreth 5.8 milionë euro në vit përpara rinovimit të fundit të kontratës, ndërsa kushtet e marrëveshjes së re nuk janë bërë publike, por besohet se janë më të favorshme financiarisht.
Podiumi plotësohet nga trajneri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mauricio Poçettino, me një pagë prej 5 milionë eurosh neto në sezon.
Në listën e trajnerëve më të paguar bëjnë pjesë edhe Julian Nagelsman i Gjermanisë me 4.9 milionë euro, Roberto Martinez i Portugalisë me 4 milionë euro dhe Didie Deshamp i Francës me 3.8 milionë euro në vit.
Trajnerët më të paguar të Botërorit 2026
Karlo Ançeloti (Brazil) – 10 milionë euro
Tomas Tuhel (Angli) – 5.8 milionë euro*
Mauricio Poçettino (SHBA) – 5 milionë euro
Julian Nagelsman (Gjermani) – 4.9 milionë euro
Roberto Martinez (Portugali) – 4 milionë euro
Didier Deshamp (Francë) – 3.8 milionë euro
Marselo Bielsa (Uruguaj) – 3.5 milionë euro
Ronald Kuman (Holandë) – 3 milionë euro
Xhesi Marsh (Kanada) – 2.5 milionë euro
Havier Agirre (Meksikë) – 2.5 milionë euro
Gustavo Alfaro (Paraguaj) – 2.5 milionë euro
*Paga e deklaruar i referohet periudhës para rinovimit të fundit të kontratës.
Ajo që bie në sy në këtë renditje është mungesa e trajnerëve të dy kampioneve të fundit të mëdha të futbollit botëror. As Luis de la Fuente i Spanjës dhe as Lionel Scaloni i Argjentinës nuk figurojnë në listën e trajnerëve me pagat më të larta të Botërorit 2026.
Lini një Përgjigje