Dekania e Fakultetit të Mjekësisë Dentare, Silvana Bara, ka paraqitur pranë Rektoratit një kërkesë zyrtare për lirimin nga detyra të drejtueses së Departamentit, Prof. Dr. Edit Xhajankën, ish-drejtuese e këtij fakulteti. Për disa vite, znj. Bara ka qenë pjesë e ekipit drejtues të fakultetit, zv.dekane, në kohën kur institucioni drejtohej nga Prof. Dr. Xhajanka...
Një zhvillim i fundit në Universitetin e Mjekësisë ka ngjallur diskutime në radhët e stafit akademik. Sipas informacioneve të siguruara nga burime universitare, dekania e Fakultetit të Mjekësisë Dentare, Silvana Bara, ka paraqitur pranë Rektoratit një kërkesë zyrtare për lirimin nga detyra të drejtueses së Departamentit, Prof. Dr. Edit Xhajankën, ish-drejtuese e këtij fakulteti.
Çështja ka marrë vëmendje të veçantë për shkak të marrëdhënies së mëparshme profesionale mes dy pedagogeve. Për disa vite, znj. Bara ka qenë pjesë e ekipit drejtues të fakultetit, zv.dekane, në kohën kur institucioni drejtohej nga Prof. Dr. Xhajanka, një periudhë që shumë kolegë e konsiderojnë të rëndësishme për formimin e saj në aspektin akademik dhe administrativ.
Burime pranë universitetit thonë se mospajtimet mes tyre janë bërë më të dukshme vitet e fundit, kryesisht për mënyrën e trajtimit të çështjeve të ndryshme që lidhen me funksionimin dhe mbarëvajtjen e fakultetit. Në mbledhjet e Dekanatit dhe të Senatit Akademik, Prof. Dr. Xhajanka ka qenë shpesh ndër zërat që kanë kërkuar më shumë transparencë dhe reagim institucional ndaj problematikave të ngritura.
Sipas të njëjtave burime, debatet kanë kaluar edhe në rrugë institucionale. Ish-dekania mësohet se ka paraqitur shqetësime pranë organeve kompetente universitare dhe ka kërkuar sqarime për një sërë çështjesh që lidhen me administrimin e fakultetit dhe zbatimin e objektivave të shpallura nga drejtuesit aktualë.
Ndërkohë, Prof. Dr. Xhajanka ka vijuar të adresojë problemet që, sipas saj, prekin Fakultetin e Mjekësisë Dentare, duke iu drejtuar jo vetëm strukturave të Universitetit të Mjekësisë, por edhe institucioneve shtetërore përgjegjëse për arsimin e lartë.
E njohur për kontributin e saj në fushën e stomatologjisë, Prof. Dr. Xhajanka ka drejtuar fakultetin për dy mandate radhazi. Gjatë kësaj periudhe janë zgjeruar bashkëpunimet ndërkombëtare dhe janë ndërmarrë iniciativa që synonin modernizimin e programeve dhe strukturave akademike.
Burimet bëjnë me dije se tema u diskutua edhe në mbledhjen e Senatit Akademik të 9 qershorit, ku Prof. Dr. Xhajanka u njoh me procedurën e nisur ndaj saj. Sipas informacionit të disponueshëm, ajo nuk kishte qenë më herët në dijeni të hapave të ndërmarrë. E pyetur për situatën, Prof. Dr. Xhajanka nuk ka preferuar të komentojë. /Pamfleti
Lini një Përgjigje