Zvicra ka regjistruar një hap fals në ndeshjen e saj të parë në Kupën e Botës, duke barazuar 1-1 ndaj Katarit, në një sfidë ku konsiderohej favorite dhe ku dominoi pjesën më të madhe të lojës.
Helvetët kaluan në avantazh në minutën e 17-të. Pas një ndërhyrjeje të gabuar të portierit të Katarit, Mahmud Abunada, ndaj Mishel Ebisher, arbitri akordoi penallti pas konsultimit me sistemin VAR. Nga pika e bardhë, Bril Embolo u tregua i saktë dhe dërgoi topin në rrjetë për 1-0.
Zvicra vijoi të ushtronte presion dhe në minutën e 21-të iu afrua golit të dytë me Denis Zakarian, por portieri Abunada reagoi në mënyrë të shkëlqyer. Katari pati mundësinë më të mirë të pjesës së parë në minutën e 43-të, kur Edmilson Zhunior tentoi të barazonte, por Gregor Kobel bëri një pritje vendimtare. Në kohën shtesë të pjesës së parë, Dan Ndoje rrezikoi sërish portën e Katarit, por Abunada shpëtoi ekipin e tij.
Edhe pjesa e dytë nisi me dominimin e zviceranëve. Në minutën e 49-të, kapiteni Granit Xhaka provoi me një goditje të fortë nga distanca, por topi kaloi pak mbi traversë. Rasti më i mirë për të vulosur fitoren erdhi në minutën e 75-të, kur Ruben Vargas u gjend i vetëm përballë portierit, por Abunada fitoi sërish duelin. Një minutë më vonë, Embolo iu afrua golit të dytë, por goditja e tij përfundoi pranë shtyllës së majtë.
Kur dukej se Zvicra do të merrte tre pikët, Katari goditi në minutat shtesë. Pas një krosimi në zonë, Bualem Kukhi u shkëput nga mbrojtja dhe me një goditje të saktë me kokë barazoi shifrat në 1-1.
Pas golit të pësuar, helvetët nuk patën më kohë për të reaguar dhe sfida u mbyll në barazim.
Me këtë rezultat, edhe ndeshja tjetër e Grupit B Kanada-Bosnje Hercegovinë është mbyllur me të njëjtin rezultat 1-1, çka bën që Zvicra, Katari, Kanadaja dhe Bosnja të kenë nga një pikë pas raundit të parë të takimeve të Kupës së Botës.
Në ndeshjen e dytë të Grupit B, Zvicra do të luajë përballë Bosnje Hercegovinës më 18 qershor, ndërsa Katari do të ndeshet me Kanadanë më 19 qershor.
Lini një Përgjigje