Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi, deklaroi se nuk ka qenë asnjëherë pjesë e protestës qytetare, pasi sipas tij angazhimi i tij politik ka qenë te protestat e organizuara nga Partia Demokratike.
I ftuar në emisionin “Terminal”, Baçi tha se nuk e ka parë të arsyeshme pjesëmarrjen në këtë protestë.
“Unë, për shembull, nuk kam qenë asnjë ditë në protestë. Nuk e shikoj të arsyeshme që të jem pjesë e asaj proteste, sepse protestoj mjaftueshëm në protestat që organizon Partia Demokratike. Ne do të kemi sërish protesta të fuqishme, siç kemi pasur edhe më parë, duke ftuar të gjithë shqiptarët të bashkohen”, u shpreh ai.
I pyetur se kur do të rinisin protestat e opozitës, deputeti demokrat tha se aktualisht partia po përmbyll proceset e saj të brendshme organizative.
“Po përfundojmë procesin zgjedhor brenda partisë, me konstituimin e Këshillit Kombëtar dhe zgjedhjen e strukturave të tjera drejtuese. Më pas do t’u prezantojmë qytetarëve agjendën tonë politike, në mënyrë transparente dhe gjithëpërfshirëse”, deklaroi Baçi.
Megjithatë, ai vlerësoi pjesëmarrjen e demokratëve në protestën qytetare, duke theksuar se prania e tyre i shërben kauzës së protestës.
“Në atë protestë ka me qindra e mijëra demokratë dhe kjo është në të mirë të protestës dhe të Shqipërisë”, tha ai.
Baçi shprehu gjithashtu mbështetjen e tij për të rinjtë që marrin pjesë në protestë.
“I mbështes me gjithë zemër të rinjtë që janë të sinqertë në kërkesat e tyre”, përfundoi deputeti i Partisë Demokratike.
Ik o rrugaç