TAGS-AT E JAVËS

Politike14 Qershor 2026, 20:56

“Po bëjmë histori”, gazetari Stafa nga protesta: Të bashkohemi, mos ta lëmë të shuhet kjo lëvizje!

Shkruar nga Pamfleti
“Po bëjmë histori”, gazetari Stafa nga protesta: Të
Osman Stafa

Protesta e 15-të radhazi para Kryeministrisë është shoqëruar me fjalime dhe mesazhe të forta nga pjesëmarrësit, ndërsa mes atyre që morën fjalën ishte edhe gazetari Osman Stafa.

Duke folur para protestuesve, Stafa theksoi se ishte i pranishëm jo në cilësinë e gazetarit, por si qytetar, duke e cilësuar lëvizjen qytetare si një moment të rëndësishëm për shoqërinë shqiptare.

“Jam nga ju, jo si gazetar. Për 15 ditë në Tiranë, në Shqipëri dhe në diasporë u bë histori. Shqiptarët u ngritën pas 35 vitesh për Shqipërinë dhe dinjitetin, kundër korrupsionit. Jemi në anën e duhur të historisë dhe historinë po e bëjmë ne”, deklaroi ai.

Në fjalën e tij, Stafa u ndal te problematikat që sipas tij kanë nxitur qytetarët të dalin në protestë, duke përmendur korrupsionin, shpopullimin, gjendjen në shëndetësi dhe arsim, si dhe mungesën e perspektivës për të rinjtë.

Ai kritikoi kryeministrin Edi Rama, duke thënë se nuk ka adresuar shqetësimet kryesore të qytetarëve që prej nisjes së protestave.

“Po protestojmë kundër korrupsionit e shpopullimit, për shëndetësinë dhe arsimin. Vetëm një njeri nuk e di pse ne jemi këtu, dhe ai është kryeministri Edi Rama. Ai nuk ka folur asnjë fjalë për çmimet, korrupsionin, arsimin apo të ardhmen tonë”, u shpreh Stafa.

Sipas tij, qytetarët nuk duhet të heqin dorë nga protestat, pavarësisht pritshmërive se lëvizja mund të humbasë vrullin me kalimin e kohës.

“Po presin që ne të lodhemi. Po si të lodhemi ne, kur ata nuk lodhen së vjedhuri dhe abuzuari, duke na vjedhur shpresën dhe të ardhmen? Agjenda jonë është Shqipëria, e tyre është vjedhja”, tha ai.

Në fund të fjalës së tij, Stafa u bëri thirrje qytetarëve të qëndrojnë të bashkuar dhe të mos lejojnë shuarjen e protestës, duke e cilësuar atë si një mundësi të rrallë për të kërkuar ndryshim.

“Të bëhemi bashkë për të ardhmen. Mos ta lëmë të shuhet, sepse kjo nuk përsëritet më”, përfundoi ai mes duartrokitjeve të protestuesve.

osman stafa protesta

Lini një Përgjigje