TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet15 Qershor 2026, 01:09

Mbi 7 orë protestë dhe marshim, turma i drejtohet Rinasit

Shkruar nga Pamfleti

Mbi 7 orë protestë dhe marshim, turma i drejtohet Rinasit

Protestuesit marshojnë drejt Aeroportit të Rinasit, bllokohen akset dhe krijohen vështirësi në qarkullim

Marshimi i protestuesve vijon ende, ndërsa mijëra qytetarë kanë kaluar mbikalimin e Rinasit dhe tashmë po lëvizin në këmbë në drejtim të Aeroportit Ndërkombëtar të Rinasit, duke shkaktuar vështirësi të konsiderueshme në qarkullimin e automjeteve.

Pas tubimit para Kryeministrisë dhe marshimit nëpër disa prej rrugëve kryesore të kryeqytetit, protesta u zhvendos në autostradën Tiranë-Durrës, ku për orë të tëra njëri krah i qarkullimit u mbajt i bllokuar nga turma e protestuesve.

Tashmë marshuesit kanë vijuar itinerarin drejt aeroportit, duke ecur në grup përgjatë rrugës dhe duke ndaluar herë pas here. Në disa momente ata janë ulur në asfalt, duke bllokuar lëvizjen e mjeteve dhe duke krijuar radhë të gjata automjetesh.

Lëvizja drejt Aeroportit të Rinasit është vështirësuar ndjeshëm, ndërsa shumë drejtues mjetesh janë detyruar të presin në trafik për shkak të kalimit të protestuesve. Në terren ndodhen forca të shumta policie, të cilat po monitorojnë situatën dhe po përpiqen të menaxhojnë qarkullimin.

Gjatë gjithë marshimit kanë vijuar edhe thirrjet kundër qeverisë dhe klasës politike. “Rama jepe dorëheqjen”, “Ju erdhi fundi”, “Rama në burg, Berisha në burg” dhe “Revolucion” janë disa nga sloganet që kanë shoqëruar protestën përgjatë itinerarit.

Ende nuk është bërë e ditur se cili do të jetë destinacioni përfundimtar i marshimit apo nëse protestuesit synojnë të mbërrijnë në ambientet pranë aeroportit. Megjithatë, kolona e qytetarëve vijon të lëvizë në drejtim të Rinasit, ndërsa situata në terren mbetet dinamike dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në qarkullimin rrugor.

Lini një Përgjigje