Qytetarët përshkuan disa prej akseve kryesore të Tiranës dhe vijuan drejt aeroportit të Rinasit, ndërsa policia ndaloi marshimin në orët e para të mëngjesit...
Policia arriti të ndalë marshimin e protestuesve paqësorë në ditën e 15-të të protestës, disa orë pas nisjes së marshimit të tyre në drejtim të aeroportit ndërkombëtar të Rinasit. Ende nuk dihet se kush e drejtoi turmën e mijëra protestuesve në drejtim të Rinasit, teksa kjo ishte hera e parë që ata në mënyrë të organizuar iu drejtuan autostradës Tiranë-Durrës, pasi më parë ecën në disa nga akset rrugore kryesore brenda kryeqytetit.
Nën thirrjet “Rama jepe dorëheqjen” protestuesit u ndalën rreth orës 02:40 të mëngjesit të së hënës teksa i afroheshin të vetmit aeroport ndërkombëtar që ka Shqipëria.
Protesta si zakonisht nisi me mbledhjen e protestuesve në sheshin Skënderbej dhe më pas me marshimin e tyre përgjatë bulevardit Dëshmorët e Kombit deri te godina e Kryeministrisë.
Më pas, mijëra protestues nisën marshimin në këmbë duke kaluar përmes sheshit “Skënderbej”, Rrugës së Durrësit, zonës së ish-sheshit “Shqiponja” dhe Kthesës së Kamzës.
Pas kalimit në këto segmente, protestuesit u drejtuan drejt autostradës Tiranë-Durrës, një lëvizje që ndryshoi itinerarin e deriatëhershëm të protestës. Marshimi vijoi për disa orë përgjatë aksit rrugor, ndërsa pjesëmarrësit u zhvendosën në drejtim të Rinasit.
Rreth orës 00:26, turma mbërriti në zonën e mbikalimit të Rinasit dhe vazhdoi më tej drejt aeroportit. Në orët pas mesnate, forcat e policisë u pozicionuan në afërsi të aeroportit për të ndaluar avancimin e protestës.
Rreth orës 02:00 policia pengoi vijimin e marshimit. Protestuesit nuk u përfshinë në përplasje me efektivët dhe qëndruan në zonë duke artikuluar thirrje në mbështetje të policisë. “Policia është me ne”, ishte një nga thirrje që u dëgjua më shumë nga turma, teksa dhjetra punonjës policie ishin vendosur përballë tyre si një ‘barrikadë’, teksa pas tyre qëndronin edhe automjetet e hedhjes së ujit me presion apo topa uji.
Duke parë vendosmërinë e forcave të rendit, protestuesit pas rreth 40 minutash vendosën të mbyllin protestën, duke shmangur kështu incidentet. Protesta e ditës së 15-të zgjati për rreth 9 orë, duke vendosur kështu një rekord sa i takon kohëzgjatjes së protestave që janë organizuar në Shqipëri në vitet e fundit.
Një pjesë e konsiderueshme e kohës iu kushtua ecjes në këmbë përgjatë itinerarit të ndjekur, ndërsa orët e para të protestës u zhvilluan para Kryeministrisë me fjalime dhe adresime publike. Protesta e ditës së 15-të u karakterizua nga lëvizja e gjatë e pjesëmarrësve nga qendra e Tiranës drejt zonës së Rinasit dhe nga përfundimi pa incidente mes protestuesve dhe policisë.
Kjo ishte hera e dytë që policia në mënyrë të organizuar shfaqet përballë protestuesve, në dallim nga protestat e mëparshme që janë mbajtur në Tiranë. Herën e parë policia tentoi të bllokojë protestuesit në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", pasi në stadiumin Air Albania, luhej ndeshja miqësore Shqipëri-Izrael dhe policia kishte njoftuar më parë një plan masash, me synim shmangien e incidenteve.
Lini një Përgjigje