Ilir Shtufi u lokalizua në një hotel në Selanik...
Policia greke ka dhënë detaje nga arrestimi i biznesmenit Ilir Shtufi një ditë më parë, i cili u ndalua në kuadër të një operacioni që ndërmori SPAK kundër trafikut të drogës dhe pastrimit të parave.
Sipas autoriteteve helene, Shtufi kishte hyrë në Greqi në orët e para të ditës së djeshme, nga një stacion kufitar në veri të shtetit grek. Sakaq, raportohet se ai u lokalizua në një hotel në Selanik dhe më pas u shoqërua nga policia.
Pra sinjalet janë se Shtufi ishte informuar për aksionin e SPAK dhe u largua drejt Greqisë. Por sipas burimeve, ai ka qenë në monitorim nga SPAK dhe u bë shumë shpejt lokalizmi.
“Hetimi zbuloi se personi i lartpërmendur kishte hyrë në vendin tonë në orët e para të së njëjtës ditë nga një stacion kufitar në Greqinë Veriore. Shërbimet policore kompetente u mobilizuan menjëherë, në kuadër të të cilave ai u lokalizua në një hotel në Selanik dhe u shoqërua për ekzaminim të mëtejshëm. Në të njëjtën kohë, nëpërmjet procedurave të përcaktuara të bashkëpunimit policor ndërkombëtar, u konfirmua se ndaj tij ishte në pritje një Njoftim i Kuq Ndërkombëtar për Kërkim nga Autoritetet e vendit të tij me qëllim arrestimin dhe ekstradimin e tij për vepra penale që lidhen me pjesëmarrjen në një organizatë të strukturuar kriminale dhe pastrim parash, që rrjedhin, ndër të tjera, nga rastet e trafikimit të drogës. Pas informacionit nga Prokurori kompetent i Apelit të Selanikut, ndaj tij u lëshua një urdhër arresti i përkohshëm dhe ai u arrestua, me qëllim ndjekjen e procedurave të përcaktuara”, shprehet policia greke.
Dyshimet janë se Shtufi ishte nisur drejt Turqisë dhe sipas burimeve ka deklaruar se do të kthehej të hënën në Shqipëri. Ndërkohë, SPAK ka sekuestruar edhe telefonin celular të bashkëshortes së tij.
Prokuroria e Posaçme dhe policia zhvilluan një aksion të gjerë dje, duke lëshuar 20 masa sigurie, ku në listë janë dhe disa biznesmenë.
Dyshohet se biznesmenët janë përfshirë në një skemë të pastrimit të parave në kuadër të një grupi kriminal, para që janë gjeneruar në fushën e ndërtimit të këtyre biznesmenëve.
Sipas njoftimit zyrtar, hetimi i nisur që në vitin 2021 ka dokumentuar aktivitetin e një grupi të strukturuar kriminal që dyshohet se ka trafikuar kokainë nga Amerika Latine drejt Europës, ndërsa fitimet e përfituara janë investuar më pas në pasuri të paluajtshme, projekte ndërtimi, kompani tregtare dhe biznese turistike në Shqipëri.
SPAK bën me dije se Gjykata e Posaçme ka caktuar masën “Arrest në burg” për 15 persona dhe “Arrest në shtëpi” për 5 të tjerë. Deri tani janë ekzekutuar disa prej masave.
Sipas hetimeve, personat nën hetim A.H. dhe L.K. dyshohet se kishin rol drejtues në organizimin e trafikut ndërkombëtar të kokainës nga vendet e Amerikës Latine drejt porteve të Belgjikës, Holandës dhe Spanjës.
Hetuesit kanë dokumentuar një strukturë të organizuar që merrej me furnizimin, transportin, magazinimin, përpunimin kimik dhe shpërndarjen e kokainës në disa vende europiane.
Një nga episodet kryesore të dosjes lidhet me sekuestrimin e 441 kilogramëve kokainë në Barcelonë të Spanjës, ku u arrestuan disa persona të përfshirë në transportimin e drogës. SPAK thotë se janë dokumentuar edhe sekuestrime të tjera të sasive të konsiderueshme të kokainës në Holandë, Itali dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Një pjesë e rëndësishme e provave është siguruar nga komunikimet e zbërthyera në platformën e koduar SKY ECC, përgjimet telefonike dhe bashkëpunimi me autoritetet ligjzbatuese të disa vendeve europiane.
Kam nje pyetje ligjore. Po ata qe kane blere apartament nga kompanite e ketij Nova Develalb po nuk e kane marre pronesi te plote der ne fund?