TAGS-AT E JAVËS

Kronike13 Qershor 2026, 13:21

Paratë me fajde, pista që çoi në krim? Vrau shokun dhe groposi trupin, në “Porschen” e Shakajt gjendet një lopatë me baltë

Shkruar nga Pamfleti
Paratë me fajde, pista që çoi në krim? Vrau shokun dhe
Eglant Koçi

Eglant Koçi, i zhdukur që prej datës 4 qershor, dyshohet të jetë vrarë dhe më pas trupi i tij është groposur. Kjo është një nga pistat kryesore ku po përqendrohen hetimet e grupit hetimor.

Dyshimet janë forcuar pas ekzaminimit të automjetit tip “Porsche”, i sekuestruar në kuadër të hetimeve dhe në përdorim të Armand Shakajt, i shpallur në kërkim si autor i dyshuar i ngjarjes. Sipas burimeve pranë hetimit, në mjet janë gjetur disa vegla pune, mes tyre edhe lopata me mbetje balte, element që ka shtuar dyshimet se trupi i 34-vjeçarit mund të jetë groposur.

Kërkimet për gjetjen e Koçit po vijojnë prej ditësh. Në një konferencë për mediat, drejtori i Policisë së Tiranës, Oliger Torba, bëri me dije se kontrollet janë përqendruar kryesisht në zona malore të qarqeve Tiranë dhe Elbasan. Në operacionet e kërkimit janë angazhuar edhe forca nga Kosova, të cilat po asistojnë me qen të trajnuar për kërkim personash.

Paralelisht me kërkimet për gjetjen e trupit, policia po vijon edhe operacionin për kapjen e Armand Shakajt, i cili rezulton të ketë qenë mik i ngushtë i Eglant Koçit.

Sipas dyshimeve të hetuesve, trupi i 34-vjeçarit mund të ketë qëndruar për më shumë se 24 orë në automjetin e Shakajt. Më pas, nën pretendimin se makina kishte pësuar defekt, është kërkuar një karrotrec për ta transportuar mjetin deri në zonën e Ibës. Hetuesit dyshojnë se prej andej mund të jenë humbur gjurmët, pasi zona nuk monitorohet nga kamera sigurie.

Në lidhje me motivin e mundshëm të ngjarjes, grupi hetimor po verifikon informacionet që lidhen me një konflikt mes dy miqve për aktivitetin e kriptovalutave dhe për një shumë të konsiderueshme parash të pashlyera.

Sipas të dhënave të mbledhura deri më tani, Armand Shakaj dyshohet se merrej me dhënie parash me fajde. Hetuesit po verifikojnë informacionet se, me ndërmjetësimin e Eglant Koçit, një shumë parash mund t’u jetë dhënë personave të tretë dhe të mos jetë kthyer më. Kjo situatë dyshohet se mund të ketë sjellë përplasje mes tyre, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.

para me fajde krim vrau shokun groposi trupin porsche lopate me balte

Lini një Përgjigje