Dosja hetimore përfshin një seri takimesh në disa shtete, ku sipas SPAK dhe autoriteteve belge janë diskutuar operacionet e trafikut të kokainës dhe investimet në pasuri të paluajtshme...
Artur Shehu dhe persona të tjerë që SPAK i lidh me grupin e Alfredo Hamzait rezultojnë të kenë zhvilluar takime të shumta jashtë Shqipërisë gjatë periudhës 2018-2021. Sipas materialeve hetimore, këto kontakte janë zhvilluar në vende si Spanja, Belgjika, Gjermania, Monako dhe Aruba, me fokus organizimin e trafikut ndërkombëtar të drogës dhe përdorimin e të ardhurave të dyshuara për investime në Shqipëri.
Në dokumentet e Prokurorisë së Posaçme thuhet se Artur Shehu ka marrë pjesë në takime të zhvilluara në Spanjë, Monako, Gjermani dhe Aruba, ku janë diskutuar blerja, transporti dhe futja e sasive të mëdha të lëndëve narkotike në tregun europian. Në këto takime, sipas shkallëve të ndryshme të përfshirjes, përmenden edhe Adrian Rama, Elton Memeti, Erjon Rama, Leonard Bishaj, Bujar Shehaj, Alfredo Hamzai dhe Pëllumb Petritaj.
Një nga episodet e përfshira në dosje, sipas shqiptarja.com, lidhet me takimet e zhvilluara në Majorka gjatë vitit 2019. Në to, sipas hetimeve, morën pjesë Bashkim Osmani nga Kosova, Adrian Rama, Elton Memeti, Toni Lipaj, Artur Shehu, Arben Ismailaj, Klodjan Jahja, Bujar Shehaj dhe persona të tjerë. Këto takime paraprinë operacionin e autoriteteve spanjolle në Barcelonë në janar 2020, ku u sekuestruan 441 kilogramë kokainë dhe u arrestua një kushëri i Alfredo Hamzait.
Dosja përshkruan edhe një takim në Monako, ku sipas hetimeve është diskutuar koordinimi i trafikimit të kokainës nga Surinami drejt Europës. Në këtë rast, Adrian Rama rezulton të ketë qenë në shoqërinë e Elton Memetit, ndërsa në takime kanë marrë pjesë edhe Artur Shehu, Arben Ismailaj dhe Alfredo Hamzai. Po sipas dokumenteve, Erjon Rama është identifikuar në një automjet së bashku me vëllain e tij Adrian Ramën dhe Artur Shehun, përpara se të udhëtonin drejt Majorkës.
Informacionet e përcjella nga autoritetet belge flasin edhe për dy takime të tjera gjatë vitit 2019, të cilat sipas hetimeve lidhen me investimin në pasuri të paluajtshme të të ardhurave të dyshuara nga narkotrafiku.
Njëri prej tyre është zhvilluar në Antverp të Belgjikës, mes datave 12 dhe 14 shkurt 2019. Sipas dosjes, në këtë takim morën pjesë Adrian Rama, Elton Memeti, Arben Ismailaj dhe Alfredo Hamzai. Hetuesit dyshojnë se ata janë transportuar nga aeroporti i Zaventemit drejt Antverpit me një automjet Ford Kuga në përdorim të Indrit Kulajt.
Një tjetër episod i përmendur në dokumentacion lidhet me qëndrimin në Aruba, në Antilet Holandeze, nga 24 deri më 31 janar 2019. Sipas dosjes, në këtë udhëtim kanë qenë Arben Ismailaj, Elton Memeti, Adrian Rama, Artur Shehu dhe Bujar Shehaj.
Materialet e autoriteteve belge të cituara nga SPAK përmendin informacione për takime të zhvilluara me funksionarë të lartë shtetërorë shqiptarë në Aruba. Sipas të dhënave të përfshira në dosje, këto kontakte mund të kenë pasur lidhje me projekte në fushën e pasurive të paluajtshme në Shqipëri, të financuara potencialisht me fonde të paligjshme dhe me mbështetje politike.
Megjithatë, dosja nuk përmban elementë të tjerë identifikues për këta funksionarë dhe nuk paraqet prova shtesë që të dokumentojnë përfshirjen e tyre. Të njëjtat informacione, sipas SPAK, kishin qenë pjesë edhe e një hetimi të autoriteteve italiane, i cili ishte mbyllur më herët për mungesë provash.
Në vlerësimin e autoriteteve belge, Artur Shehu konsiderohet një person me rol të rëndësishëm brenda strukturës së grupit. Hetuesit argumentojnë se ai ka pasur kontakte të drejtpërdrejta me Alfredo Hamzain, ka marrë pjesë në takime për organizimin e trafikimit të kokainës dhe ka qenë në dijeni të investimeve në pasuri të paluajtshme. Sipas tyre, ekzistojnë indicie se ai ka ushtruar funksione mbikëqyrëse në rrjet.
Sa i përket pastrimit të parave, SPAK përshkruan një skemë me disa etapa. Faza e parë konsistonte në transferimin ose transportimin e të ardhurave kriminale, përfshirë përdorimin e sistemeve alternative të qarkullimit të parave si "hawala".
Më pas, sipas hetimeve, fondet investoheshin në pasuri të paluajtshme, ndërsa për fshehjen e origjinës së tyre përdoreshin mekanizma si ndryshimi i pronësisë, falsifikimi i dokumenteve, krijimi i pronarëve fiktivë, shtimi artificial i sipërfaqeve dhe transaksione të shumta që vështirësonin identifikimin e përfituesve përfundimtarë.
Faza përmbyllëse, sipas SPAK, përfshinte kalimin e trojeve tek kompani ndërtimi nëpërmjet marrëveshjeve të ndryshme, duke ndërthurur të ardhurat e paligjshme me aktivitetin ekonomik të ligjshëm.
Lini një Përgjigje