Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, njoftoi se marrëveshja e arritur mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit ka hyrë në fuqi menjëherë pas nënshkrimit nga të dyja palët.
Në një postim në rrjetet sociale, Sharif deklaroi se hapi i parë i zbatimit të marrëveshjes parashikon rihapjen e menjëhershme të Ngushticës së Hormuzit nga Republika Islamike e Iranit, ndërsa Shtetet e Bashkuara do të heqin menjëherë bllokadën detare.
Sipas kryeministrit pakistanez, i cili ka luajtur rol ndërmjetësues në procesin e negociatave, palët kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi që synon uljen e tensioneve dhe hapjen e një faze të re dialogu.
Sharif bëri të ditur gjithashtu se të premten do të zhvillohet në Zvicër një ceremoni zyrtare nënshkrimi për të shënuar atë që ai e cilësoi si një “ngjarje historike”. Pas ceremonisë pritet të nisin edhe bisedimet në nivel teknik për zbatimin e detajeve të marrëveshjes.
Detaje të tjera mbi përmbajtjen e plotë të marrëveshjes nuk janë bërë ende publike.
Lini një Përgjigje