TAGS-AT E JAVËS

Kronike13 Qershor 2026, 14:08

Goditet skema e trafikimit të arit në Fier, sekuestrohen rreth 2 milionë euro pasuri; arrestohet një 27-vjeçar (Video)

Shkruar nga Pamfleti
Goditet skema e trafikimit të arit në Fier, sekuestrohen rreth 2
Goditet skema e trafikimit të arit në Fier

Një operacion i gjerë policor ka zbuluar dhe goditur një skemë të dyshuar të trafikimit të sendeve me vlerë të vjedhura jashtë vendit, të cilat futeshin në mënyrë të paligjshme në Shqipëri dhe më pas tregtoheshin në argjendari në Fier dhe Lushnjë.

Sipas Policisë, në pranga ka rënë një 27-vjeçar, ndërsa një 45-vjeçar është shpallur në kërkim si i dyshuar për përfshirje në të njëjtën veprimtari kriminale. Gjithashtu, janë proceduar penalisht shtatë administratorë argjendarish, të cilët dyshohet se blinin dhe shisnin mallra me origjinë të paligjshme.

Gjatë kontrolleve të ushtruara në banesa dhe ambiente tregtare, autoritetet kanë sekuestruar 15 kilogramë e 259 gramë ar, 4 kilogramë e 281 gramë argjend, 612 ora të markave të ndryshme, 13 varëse të zbukuruara me gurë diamanti, si dhe objekte të tjera që dyshohet se kanë vlerë artistike dhe kulturore.

Po ashtu, janë bllokuar shuma parash në lekë dhe euro, telefona celularë, pajisje DVR dhe prova të tjera materiale që pritet t’i shërbejnë hetimit.

Sipas vlerësimeve paraprake, vlera totale e sendeve të sekuestruara arrin në rreth 2 milionë euro.

"Finalizohet operacioni policor i koduar “Stolen Gold”. Goditet një skemë kriminale e trafikimit dhe tregtimit të sendeve me vlerë, të dyshuara si të vjedhura jashtë vendit.

Siguronin sende me vlerë në Itali dhe Greqi, i fusnin kontrabandë në Shqipëri dhe i tregtonin në argjendari në Fier dhe Lushnjë, vihet në pranga një 27-vjeçar dhe shpallet në kërkim një 45-vjeçar, i dyshuar për të njëjtën veprimtari kriminale. Procedohen penalisht 7 administratorë argjendarish.

Sekuestrohen 15 kg e 259 gramë ar, 4 kg e 281 gramë argjend, 612 ora të markave të ndryshme, 13 varëse me gurë diamanti, sende të dyshuara me vlerë artistike e kulturore, para në lekë dhe euro, aparate celularë, DVR dhe sende të tjera. Vlera paraprake e sendeve të sekuestruara llogaritet rreth 2 milionë euro.

Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në DVP Fier, në bashkëpunim me strukturat e Hetimit të Krimit, Komisariatet e Policisë Fier dhe Lushnjë, nën drejtimin e Prokurorisë së Fierit, pas një hetimi disamujor të zhvilluar me metoda speciale hetimi, finalizuan operacionin policor të koduar “Stolen Gold”.

Në kuadër të këtij operacioni u bë ndalimi i shtetasit: D. S., 27 vjeç, banues në fshatin Kreshpan, Fier.

Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas siguronte në mënyrë të kundërligjshme sende me vlerë, bizhuteri ari dhe argjendi, ora të markave të ndryshme, si dhe objekte të tjera me interes ekonomik, të cilat dyshohet se ishin përfituar nga vjedhje të kryera jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, kryesisht në Itali dhe Greqi, dhe më pas i tregtonte në subjekte argjendarie të ndryshme.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij u gjetën dhe u sekuestruan bizhuteri, ora, sende të dyshuara me vlerë artistike dhe kulturore, si dhe fishekë arme gjahu.

Në vijim të veprimeve procedurale u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit: D. H., 45 vjeç, E. Gj., 38 vjeç, dhe A. Sh., 35 vjeç,  të tre banues në Fier si dhe  M. S., 39 vjeç, A. K., 62 vjeç, B. B., 65 vjeç, dhe  J. D., 41 vjeçe, të katërt banues në Lushnjë.

Këta shtetas, administratorë të subjekteve argjendarie, dyshohen se blinin dhe tregtonin sende të dyshuara si të vjedhura, të siguruara nga shtetasi D. S. Gjithashtu, nga verifikimet e kryera dyshohet se në subjektet e tyre tregtare disponoheshin mallra pa dokumentacion ligjor të origjinës, si dhe sende me vlerë të dyshuara si mall kontrabandë. Një pjesë e konsiderueshme e sendeve të sekuestruara u gjet edhe gjatë kontrolleve të ushtruara në banesat e tyre.

Në vijim të hetimeve u shpall në kërkim shtetasi: B. A., 45 vjeç, banues në fshatin Kraps, Fier.

Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas ushtronte të njëjtën veprimtari kriminale me shtetasin D. S., duke siguruar sende me vlerë jashtë vendit dhe duke i tregtuar ato në argjendari të ndryshme në Fier dhe Lushnjë.

Gjatë kontrollit të banesës së tij u gjetën dhe u sekuestruan ora të markave të ndryshme, bizhuteri ari dhe argjendi, si dhe një shkop gome i ngjashëm me atë të Policisë. Vijon puna intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Hetimet vijojnë për identifikimin dhe dokumentimin e plotë ligjor të personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.", njofton policia.

fier trafikim ari sekuestrohen pasuri rreth 2 milionë euro

Lini një Përgjigje