Presidenti amerikan, Donald Trump ka mbajtur një fjalim në samitin e G7 në Francë. Ai e nisi konferencën për shtyp duke falënderuar Presidentin Emannuel Macron për mikpritjen në Francë, duke thënë se ky ka qenë "një nga samitet më të suksesshme" të G7-ës.
Ai shtoi se samiti vjen pas nënshkrimit të një marrëveshjeje paqeje që i jep fund luftës aktuale në Lindjen e Mesme, hap Ngushticën e Hormuzit dhe parandalon Iranin të pajiset me armë bërthamore.
Trump theksoi se Irani tani ka një grup të ri udhëheqësish që janë “më të zgjuar” dhe “shumë më pak të radikalizuar”, duke thënë se ai ka arritur ndryshimin e regjimit.
"Nëse flet për ndryshim regjimi, askush nuk do ta thotë këtë, por unë mendoj se është. Një grup udhëheqësish është zhdukur plotësisht, grupi i dytë i udhëheqësve është zhdukur plotësisht. Grupi i tretë i udhëheqësve të tyre është zhdukur paksa... Mendoj se kjo është ndryshim regjimi", tha Trump.
Presidenti amerikan foli për historinë e marrëdhënieve të SHBA-së me Iranin, duke iu referuar sulmit të vitit 2020 që vrau gjeneralin e lartë iranian, Qasem Soleimani. Ai gjithashtu kritikon marrëveshjen bërthamore të administratës Obama. Më tej, Trump foli edhe për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, ndaj të cilit ka shprehur frustrim ditët e fundit. Ai nuk la pa e thumbuar Netanyahun dhe politikën e tij ndaj Hezbollahut.
“Netanyahut i duhet një prekje pak më e butë. Nuk ke pse të rrëzosh një ndërtesë sa herë që dikush hyn brenda saj që është nga Hezbollahu”, tha Trump.
Presidenti tha më tej se sa i përket marrëveshjes së paqes me Iranin, ajo do të nënshkruhet së shpejti.
"Nesër, ndoshta të nesërmen. Është e rëndësishme të theksohet se Irani ka rënë dakord që as nuk do të prodhojë dhe as nuk do të sigurojë armë bërthamore", tha ai në konferencën e tij për shtyp të G7.
Ai theksoi se një kopje e marrëveshjes iu dërgua Izraelit, një “partner i mirë”.
“Mendoj se ata mund të bënin më mirë në lidhje me Hezbollahun”, shtoi Trump.
Presidenti vazhdoi me raportet e medias amerikane se Iranit mund t’i jepet qasje në një fond rindërtimi me vlerë 300 miliardë si pjesë e marrëveshjes për t’i dhënë fund luftës. Ai i quajti këto raportime si histori të rreme.
"Ne nuk u japim atyre para. Ne nuk u japim atyre asgjë nga këto", shtoi Trump.
Trump foli edhe për negociatat e ardhshme, të cilat, sipas tij, do të përfshijnë vendet e Gjirit dhe do të diskutojnë "çështje jo-bërthamore", duke përfshirë "raketat balistike konvencionale" të Iranit.
"Ata duhet të kenë disa sepse njerëzit e tjerë kanë disa, ju duhet të keni disa", tha Trump.
Duke folur për memorandumin e mirëkuptimit me Iranin, Trump tha se shpreson që marrëveshja të jetë gjithashtu fillimi i një marrëveshjeje në të gjithë Lindjen e Mesme.
“Paqja në Liban është diçka për të cilën do të duhet të punojmë, por çështja e madhe është marrëveshja me Iranin", tha Trump./Pamfleti
Lini një Përgjigje