TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet13 Qershor 2026, 15:28

Ndërtoi pa leje një kat shtesë për hotel, AMP zbulon prova të reja ndaj ish-efektivit të Policisë së Sarandës!

Shkruar nga Pamfleti
Ndërtoi pa leje një kat shtesë për hotel, AMP zbulon prova
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP)

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka dokumentuar prova të reja në kuadër të hetimeve ndaj Ajdin Islamajt, ish-Specialist për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë, i cili ndodhet në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.

Sipas AMP-së, nga hetimet e kryera nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, ka rezultuar se në një pronë në emër të babait të Islamajt, ku ai banon, janë kryer punime ndërtimore pa lejen përkatëse të organeve kompetente.

Ekspertiza teknike e administruar në dosjen hetimore ka konstatuar se mbi një objekt ekzistues dykatësh është ndërtuar një kat shtesë, si dhe janë realizuar ndërhyrje të tjera ndërtimore dhe rikonstruktive me qëllim përshtatjen e godinës për aktivitet akomodimi. Sipas ekspertëve të licencuar, struktura e realizuar konsiderohet ndërtim i ri dhe për kryerjen e saj kërkohej leje ndërtimi, e cila nuk rezulton të jetë lëshuar nga autoritetet kompetente.

Nga hetimet ka rezultuar se sipërfaqja e ndërtuar pa leje është jo më pak se 159 metra katrorë dhe përdoret me funksion hotel.

AMP bën me dije se analizat e pamjeve satelitore dhe veprimet hetimore kanë provuar se punimet janë kryer gjatë vitit 2025, periudhë në të cilën Ajdin Islamaj ushtronte detyrën në zonë.

Institucioni thekson se respektimi i ligjit duhet të jetë standardi kryesor për çdo punonjës policie dhe se besimi i qytetarëve cenohet kur funksionarët publikë dyshohet se shkelin ligjin që kanë detyrimin ta zbatojnë.

Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të përgjegjësive penale, identifikimin e personave të përfshirë dhe verifikimin e rrethanave që kanë mundësuar realizimin e ndërtimeve të dyshuara si të paligjshme.

Mbrëmjen e së enjtes, me vendim të Prokurorisë, është ushtruar kontroll në banesën e ish-oficerit, ku janë sekuestruar telefonat celularë për qëllime hetimore.

amp policia

Lini një Përgjigje