Qytetarë të mbledhur në Tiranë marshuan për të 11-tën herë drejt Kryeministrisë duke artikuluar thirrje kundër qeverisë dhe opozitës, mes tyre “Rama ik, Berisha ik”, “Edi Rama o tradhtar, jep dorëheqjen sa më parë” dhe “Qeveri e krimit”.
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” është mbushur sërish me protestues që po marshojnë drejt Kryeministrisë, duke artikuluar thirrje të forta kundër qeverisë, por edhe ndaj opozitës, në atë që organizatorët e cilësojnë si një lëvizje qytetare të pavarur nga partitë politike.
“Rama ik, Berisha ik”, “Edi Rama o tradhtar, jep dorëheqjen sa më parë”, “Qeveri e krimit”, “Shqipëri e Re”, “Atdheu është i yni” dhe “Atdheu nuk shitet” , janë disa nga sloganet që dominuan protestën e zhvilluar në qendër të Tiranës.
Me flamuj kombëtarë dhe pankarta në duar, qytetarët marshuan nga Sheshi “Skënderbej” drejt Kryeministrisë. Sapo arritën para Kryeministrisë, u këndua himni.
Gjatë marshimit nuk munguan as sloganet ironike dhe të ashpra ndaj qeverisë. Mes thirrjeve që tërhoqën më shumë vëmendje ishte edhe "Tepsia do kurban! Poshtë qeveria!", e brohoritur nga protestuesit teksa lëviznin drejt Kryeministrisë. Me këtë mesazh, pjesëmarrësit shprehën pakënaqësinë ndaj qeverisjes aktuale dhe kërkuan largimin e kabinetit qeveritar, duke e lidhur protestën me kërkesat për ndryshim politik dhe zgjedhje të reja.
Një nga kërkesat kryesore të protestuesve, e artikuluar dje ishte ngritja e një qeverie tranzitore, e cila sipas tyre duhet të marrë përsipër organizimin e zgjedhjeve të ardhshme dhe rikthimin e besimit të qytetarëve te institucionet.
Pjesëmarrësit argumentuan se vendi ka nevojë për një shkëputje nga klasa aktuale politike, ndërsa kërkuan që proceset zgjedhore të administrohen nga një strukturë neutrale dhe teknike.
Ndryshe nga protestat tradicionale të karakterit politik, në tubimin e sotëm nuk munguan as mesazhet kritike ndaj opozitës. Disa protestues akuzuan partitë politike se po përpiqen të përfitojnë nga pakënaqësia qytetare, duke kërkuar që protesta të mbetet e pavarur.
“Larg duart nga protesta”, “Mos e përdorni kauzën tonë për politikë” dhe “Kjo është protestë qytetare” ishin disa nga mesazhet e artikuluara gjatë marshimit.
Lëvizja qytetare ka lindur nga kundërshtimi ndaj projektit të parashikuar në Zvërnec, por me kalimin e ditëve është shndërruar në një platformë më të gjerë pakënaqësie ndaj korrupsionit, emigracionit, situatës ekonomike dhe mënyrës së qeverisjes së vendit.
Organizatorët u bënë thirrje pjesëmarrësve të ruanin qetësinë dhe të shmangnin çdo provokim gjatë tubimit, ndërsa theksuan se protesta do të vijojë edhe në ditët në vazhdim.
Tubime të ngjashme u zhvilluan paralelisht edhe në Lezhë, Fushë-Krujë dhe Lushnjë, ku qytetarët shprehën qëndrime të ngjashme kundër qeverisë dhe situatës politike në vend.
Në përfundim të protestës, pjesëmarrësit ritheksuan kërkesën për ndryshim politik, zgjedhje të lira dhe ndërtimin e asaj që ata e quajtën “Shqipëria e Re”.
Lini një Përgjigje