TAGS-AT E JAVËS

Politike10 Qershor 2026, 15:18

Sinjal i fortë nga zemra e Evropës: Jo më anëtarësim pa garanci

Shkruar nga Pamfleti
Sinjal i fortë nga zemra e Evropës: Jo më anëtarësim pa
Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme

Gjermania, Franca, Holanda, Belgjika dhe Luksemburgu kërkojnë mekanizma të rinj mbrojtës për sundimin e ligjit, si dhe kufizime të përkohshme të të drejtave të votimit për anëtarët e rinj…

Një dokument i ri jozyrtar (non-paper), i nënshkruar nga 5 shtete anëtare të Bashkimit Evropian, kërkon krijimin e një “modeli të përgjithshëm për traktatet e ardhshme të anëtarësimit” me vendet aktuale kandidate, me qëllim që zgjerimet e ardhshme të forcojnë Bashkimin Evropian. Dokumenti propozon forcimin e mëtejshëm të masave mbrojtëse dhe dispozitave kalimtare që janë zbatuar në raundet e mëparshme të zgjerimit, si dhe krijimin e mekanizmave shtesë, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit. Gjithashtu propozohet vendosja e kufizimeve të përkohshme dhe kalimtare të të drejtave të votimit.

Sipas Reuters, dokumenti është nënshkruar nga Gjermania, Franca, Holanda, Belgjika dhe Luksemburgu.

Dokumenti, të cilin e ka siguruar portali European Western Balkans, vlerëson se “kopjimi i traktateve të mëparshme të anëtarësimit nuk do të mjaftojë” për zgjerimet e reja dhe se duhet shfrytëzuar mundësia për të hartuar përmirësimet e nevojshme.

Kjo do të jetë thelbësore për të ruajtur dhe rritur mbështetjen politike dhe publike për zgjerimin, e cila nga ana e saj është vendimtare për ratifikimin e traktateve të anëtarësimit në të gjitha shtetet anëtare”, thuhet në dokument.

Më tej theksohet se “ajo që nevojitet është një model i përgjithshëm për traktatet e ardhshme të anëtarësimit dhe katalogë opsionesh nga të cilët mund të zgjidhet, të përshtaten në mënyrë fleksibile dhe të plotësohen sipas sfidave që mund të sjellë secili anëtarësim”.

Dokumenti propozon që Bashkimi Evropian të mbështetet mbi masat sektoriale mbrojtëse dhe dispozitat kalimtare të përdorura në zgjerimet e mëparshme.

“Këto masa mbrojtëse (në fushën e Drejtësisë dhe Çështjeve të Brendshme, tregut të brendshëm ose situatës ekonomike) duhet të përfshihen sërish në traktatet e ardhshme të anëtarësimit, por duhet të vlerësojmë nëse ato kanë ende një shtrirje mjaftueshëm të gjerë për t’iu përgjigjur sfidave aktuale”, thuhet në dokument.

Sipas propozimit, mund të nevojiten masa të reja mbrojtëse në fusha si siguria ekonomike dhe qëndrueshmëria ndaj ndërhyrjeve të huaja.

Dispozitat kalimtare të përfshira në traktatet e mëparshme të anëtarësimit, të cilat mbulonin fusha si dispozitat financiare dhe lëvizja e lirë e punëtorëve, duhet gjithashtu të përfshihen në traktatet e ardhshme dhe duhet të diskutohet nëse ato duhet të forcohen më tej.

Mbrojtja e sundimit të ligjit

Dokumenti shton se BE-ja ka nevojë për instrumente të përshtatshme për të vepruar në rast të regresit të mundshëm në respektimin e vlerave të BE-së, siç është sundimi i ligjit. Për këtë arsye propozohet që në traktatet e ardhshme të anëtarësimit të përfshihen mekanizma të rinj mbrojtës, përveç instrumenteve aktuale të sundimit të ligjit.

Ndër zgjidhjet e propozuara është një “klauzolë e mosregresit”, e kodifikuar si normë detyruese, e cila ndalon kthimin pas në respektimin e vlerave të Bashkimit Evropian.

“Në rast të një shkeljeje (ose shkeljeje të mundshme), hetimi dhe përdorimi i instrumenteve financiare të lidhura me sundimin e ligjit, procedurat për shkelje të legjislacionit dhe një klauzolë e re mbrojtëse, sipas situatës konkrete, duhet të pasojnë automatikisht”, thuhet në dokument.

Një tjetër zgjidhje është krijimi i një klauzole mbrojtëse që shtrihet përtej fushave të mbuluara nga traktatet e mëparshme të anëtarësimit. Kohëzgjatja e saj duhet të jetë më e gjatë se periudha trevjeçare e përdorur më parë dhe ajo duhet të aktivizohet në rast të “mangësive serioze ose regresit në mbrojtjen e vlerave të BE-së nga shteti përkatës anëtar, përfshirë respektimin e sundimit të ligjit, parimeve demokratike dhe lirisë së medias”.

Dokumenti propozon gjithashtu që Raporti për Sundimin e Ligjit, i cili tashmë zbatohet për disa vende kandidate, të zhvillohet më tej dhe që pjesëmarrja në Zyrën e Prokurorit Publik Evropian (EPPO) të bëhet kusht për anëtarësimin e shteteve të reja.

Kufizime të të drejtave të votimit

Sipas dokumentit, anëtarësimi i shteteve të reja nuk duhet të ndikojë në aftësinë e Bashkimit Evropian për të vepruar. Kjo çështje duhet të trajtohet kryesisht përmes reformave të brendshme të BE-së, të cilat duhet të zhvillohen paralelisht me procesin e zgjerimit. Komisionit Evropian i kërkohet gjithashtu të publikojë rishikimet e politikave para zgjerimit.

“BE-ja duhet të zhvillojë një diskutim të thelluar mbi mundësinë e kufizimeve të përkohshme dhe kalimtare të të drejtave të votimit për shtetet e reja anëtare, veçanërisht në ato pjesë të acquis-së së BE-së ku kërkohet unanimitet (për shembull, në disa aspekte të zgjerimit, Politikës së Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë, si dhe Kornizës Shumëvjeçare Financiare), duke marrë parasysh ndjeshmëritë ligjore dhe politike”, thuhet në dokument.

Sipas autorëve, periudha e ardhshme do të jetë vendimtare për hartimin e një modeli të ri për traktatet e anëtarësimit, i cili do të ndihmojë në ruajtjen dhe forcimin e trendit pozitiv të zgjerimit pas pranimit të anëtarëve të rinj. /Përshtati Pamfleti/

 

be rregullat europa integrimi

Lini një Përgjigje