Vazhdon përballja mes kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baqaei.
Përmes një postimi në platformën X, Rama shkruan se “edhe qeveria e ajatallohëve të Teheranit i bashkohet zyrtarisht protestës”, duke aluduar se reagimi i autoriteteve iraniane është në të njëjtën linjë me grupet që, sipas tij, e transformuan një protestë mjedisore në një protestë politike për rrëzimin e qeverisë.
"Ja edhe qeveria e ajatallohëve të Teheranit i bashkohet zyrtarisht protestës, madje edhe me parrullat në shqip njësoj si ata që e kthyen nga protestë mjedisore në protestë për rrëzimin e qeverisë! Bashkëngjitur replika ime edhe në emrin e atyre protestuesve që janë akoma aty për të mbrojtur natyrën, jo për ta bërë Shqipërinë shesh për përsheshet e fuqive lloj-lloj, nga mesjetarët iranianë, që e duan të djegur këtë oaz shembullor të tolerancës ndërfetare e të marrëdhënieve të shkëlqyera qoftë me Izraelin, qoftë me vendet arabe apo Turqinë, tek grupime lloj-lloj e media ndërkombëtare bashkë me lloj-lloj individësh nga lloj-lloj vendesh, që dufin me Trumpin po e nxjerrin këto ditë duke i përmbytur rrjetet sociale me lloj-lloj gjysëm të vërtetash, të cilat fryhen e fryhen duke u bërë gënjeshtrat më të mëdha! Shqipëria është shumë e vogël për të rënë në këtë kurth të madh, nga ku rrezikojmë të kthehemi me këmbët tona në pikën që të mos afrohet më asnjë investitor i huaj, ndërsa turizmi të mbetet shumë mbrapa krahasimisht me konkurentët tanë, duke na dënuar me qëndrimin në kategorinë e dytë për kushedi sa vjet të tjera…", thotë Rama.
Deklarata e kreut të qeverisë vjen në vazhdën e përplasjes publike me zëdhënësin e Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baqaei, i cili ka reaguar ndaj protestave në Tiranë që kryeu i qeverisë tha se janë të përfshirë iranianët.
Në fund të repikës, Rama i drejtohet Baqaei se Shqipëria është e lirë të protestojë edhe se vendi i tij nuk merr leksione nga një shtet terrorist.
Ja edhe qeveria e ajatallohëve të Teheranit i bashkohet zyrtarisht protestës, madje edhe me parrullat në shqip njësoj si ata që e kthyen nga protestë mjedisore në protestë për rrëzimin e qeverisë!
— Edi Rama (@ediramaal) June 10, 2026
Bashkëngjitur edhe replika ime për ajatollahët, edhe në emrin e atyre… https://t.co/v35elkH66Z
Replika e plotë e Ramës në X:
Oh, të dashur, ju vërtet nuk keni turp!
Gjithsesi, faleminderit për shqetësimin tuaj për inteligjencën e popullit shqiptar.
Do të ishte shumë më bindës nëse ky shqetësim do të vinte nga përfaqësues të një regjimi që nuk i godet rregullisht qytetarët e vet përmes censurës, frikësimit, ndërprerjeve të internetit dhe shtypjes së çdo mendimi ndryshe.
Sa i përket sovranitetit, Shqipëria nuk merr leksione mbi sovranitetin nga një qeveri, operativët e së cilës u kapën duke kryer sulme kibernetike kundër shërbimeve publike dhe institucioneve shqiptare, gjë që e detyroi Shqipërinë të ndërpriste marrëdhëniet diplomatike me Iranin.
Ju citoni protestues shqiptarë që brohorasin në rrugë. Shumë mirë. Kjo quhet demokraci. Në Shqipëri njerëzit janë të lirë të protestojnë kundër qeverisë së tyre, të kritikojnë Kryeministrin, të kërkojnë drejtësi dhe të thërrasin për zgjedhje pa pasur frikë nga burgosja.
A mund të thuhet e njëjta gjë për njerëzit në emër të të cilëve pretendoni se flisni?
Dhe është veçanërisht domethënëse që papritur keni zbuluar një shqetësim kaq të thellë për protestuesit në Tiranë, ndërkohë që gjaku i dhjetëra mijëra qytetarëve tuaj rëndon mbi ndërgjegjen e regjimit tuaj, ndërsa të panumërt të tjerë vazhdojnë të vuajnë përndjekjen, represionin dhe burgosjen, dhe ndërsa dhjetëra miliona njerëz mbeten të bllokuar në kushte që i përkasin më shumë Mesjetës sesa shekullit të njëzetenjëtë.
Populli shqiptar është vërtet mjaftueshëm inteligjent për të dalluar të vërtetën nga gënjeshtra. Pikërisht për këtë arsye ai di të bëjë dallimin mes një argumenti demokratik dhe propagandës.
Robëtët tuaja, profilet tuaja të rreme dhe videot tuaja deepfake mund t’i shtojnë konfuzionit të përgjithshëm dixhital edhe helmin e regjimit tuaj të urrejtjes, por nuk do t’ia dalin askund, sepse pavarësisht dallimeve që mund të kemi mes nesh si shqiptarë, ne jemi të gjithë të qartë dhe të bashkuar në bindjen se çdo lloj regjimi që e mban popullin e vet në errësirë dhe varfëri është armik i mënyrës sonë të jetesës, i maskuar si shqetësim.
Dhe i juaji është më i keqi nga të gjithë: një shtet terrorist sipas vetë përkufizimit.
Lini një Përgjigje