Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po zhvillohet seanca e parë në themel ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, pas ndarjes së çështjes që përfshin 11 të pandehur, të cilët do të gjykohen me procedurë të zakonshme.
Vetë Veliaj nuk është paraqitur në sallën e gjyqit dhe përfaqësohet nga avokati i tij, Plarent Ndreca. Në një deklaratë të dërguar gjykatës, kryebashkiaku argumenton se mungesa e tij lidhet me mënyrën e trajtimit në sallë, duke e cilësuar mbajtjen në kafaz si të paligjshme, antikushtetuese dhe diskriminuese.
Në seancë munguan gjithashtu avokatët Maks Haxhia dhe Dritan Jahaj. Për këtë arsye, prokurori i posaçëm Ols Dado kërkoi shtyrjen e seancës, duke argumentuar se procesi nuk mund të zhvillohet normalisht në kushtet e mungesës së mbrojtësve ligjorë. Prokuroria kërkoi gjithashtu pezullimin e afateve të paraburgimit për të pandehurit ndaj të cilëve është caktuar masë sigurie.
Edhe gjatë kësaj seance, prania e mediave u lejua vetëm në minutat e para të procesit. Kryesuesja e trupit gjykues, Elsa Ulliri, urdhëroi largimin e operatorëve nga salla, duke vendosur që seanca e parë në themel të mos transmetohej apo filmohej.
Më herët, para ndarjes së çështjes, GJKKO kishte urdhëruar SPAK-un t’i vinte në dispozicion Veliajt aktet hetimore. Megjithatë, sipas mbrojtjes, kryebashkiaku ende nuk ka marrë 24 nga 61 fashikujt e dosjes.
Të pandehurit që do të gjykohen me procedurë të zakonshme janë: Erion Veliaj, Ajola Xoxa, Gentian Sula, Meriman Palushi, Shkëlqim Fusha, Sokol Kryeziu, Linda Kazani, Erald Simixhiu, Ina Goxhaj, Valmir Xoxa dhe Flutura Xhani.
Në seancë munguan disa të pandehur. Po ashtu mungoi edhe avokati Maks Haxhia, i cili ka vënë në dijeni gjykatën se është në gjyqin ndaj Laert Haxhisë (ku do të pyetet Artan Tafani).
Diskutime në seancën në GJKKO:
Prokurori Ols Dado: Për shkak të mungesës së disa avokatëve Prokuroria e Posaçme çmon se kjo seancë nuk mund të zhvillohet.
Avokati Plarent Ndreca: Fakti që avokati i Laert Haxhisë është në atë gjyq, kjo bëhet shkak qe Erjon Velisë në këtë gjyq t’i pezullohen afatet e paraburgimit. Ne nuk po bëhemi pengesë për zhvillimin e gjykimit dhe ka asnjë arsye përse të pezullohen afatet e paraburgimit. Nga ana tjetër kemi bërë kërkesë me shkrim më herët të na jepni vendimin e arsyetuar përse i janë pezulluar afatet e paraburgimit Veliajt?
Gjykata: Fillimisht gjykata vendos që qendra “Harabel” të mbrohet nga avokati Henrik Ligori, krahas avokatit Arjan Salati. Por gjykata konstaton se kjo seancë nuk mund të vijojë duke qenë se janë pa mbrojtje Mirton Lika, “Lani” sh.p.k., Erald Sinixhiu dhe shoqata “Eventus”, që mbrohet nga avokati Aranit Roshi.
Avokati pretendoi në seancën e kaluar se nuk i ka vendosur 24 fashikuj, në seancën e 09.03.2026 dhe në 10.03.2026 rezulton se Veliajt i janë vendosur disa fashikuj. Ndërkohë rezulton se nuk i janë vendosur në dispozicion fashikuj nga 142 deri 166. Këto fashikuj përmbajnë veprime procedurale, dhe për të shmangur çdo pretendim gjykata çmon që edhe këto fashikuj t’i vihen në dispozicion Erjon Veliajt. Pretendimi tjetër për mos vendosjen e provave digjitale, gjykata çmon se në këtë fazë procedurale mbrojtjes nuk i është cenuar e drejta.
Avokati Plarent Ndreca: Do japim qëndrimin tonë për 2 vendimmarrje, mendoj se kërkesa e medias janë të lidhura drejtpërdrejtë me mbajtjen e një procesi të rregullt ligjor. Duke shtuar se publiciteti i seancës për shkak të interesit të lartë publik lidhet direkt me të drejtën e një procesi të rregullt. Nga ana tjetër vlerësoj që është shumë e rëndësishme të njihemi me provat digjitale.
Gjykata: Seanca e radhës caktohet në datën 16 qershor ora 10:00. Duke patur parasysh që 3 avokatët është hera e dytë që seanca shtyhet, i paralajmërojmë se nëse nuk paraqiten do merren masa.
Lini një Përgjigje