Pas dëshmisë së Noizyt pak ditë më parë, këtë herë para Gjykatës së Posaçme u paraqit Kleviol Ahmeti, i njohur si Cllevio. Reperi dha shpjegime lidhur me ngjarjen e vitit 2022, kur në lokalin e reperit shpërtheu një sasi tritoli, një episod që sipas SPAK lidhet me grupin kriminal të Laert Haxhiut.
Sipas SPAK, shpërthimi me tritol në lokalin e reperit në vitin 2022 dyshohet se është organizuar me urdhër të Laert Haxhiut, pas konfliktit që Noizy kishte pasur me Cllevion.
Gjatë dëshmisë së tij, Noizy deklaroi se Ahmeti ishte një person i fiksuar pas tij dhe se veprimet e tij kishin si qëllim tërheqjen e vëmendjes publike. Ai shtoi gjithashtu se para ngjarjes nuk kishte asnjë njohje me Laert Haxhiun.
Nga ana tjetër, Cllevio ka mohuar të ketë pasur dijeni për vendosjen e lëndës plasëse në lokalin e reperit. Ai deklaroi se nuk i kishte kërkuar kurrë ndihmë Laert Haxhiut për konfliktin me Noizyn, megjithëse ka pranuar se kishte miqësi me të.
Sipas akuzës, grupi i drejtuar nga Haxhiu dyshohet se qëndron pas disa ngjarjeve kriminale, përfshirë vendosje tritoli, vrasje dhe gjobëvënie. Laert Haxhiu po përballet me drejtësinë në një proces të veçantë, pasi u arrestua në Greqi në një kohë kur gjykimi ndaj pjesës tjetër të grupit kishte nisur tashmë.
Lini një Përgjigje