Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Enea Zyferin, 25-vjeçarin e arrestuar për zhdukjen e Eglant Koçit, i cili rezulton i humbur që prej 5 qershorit.
Zyferi, kamarier në lokalin në pronësi të Armand Shakajt, person i shpallur në kërkim për rrëmbimin e 34-vjeçarit, u arrestua nga Policia e Tiranës nën akuzën e përkrahjes së autorit të krimit.
Gjatë seancës gjyqësore të zhvilluar këtë të mërkurë, 25-vjeçari ka mohuar çdo lidhje me ngjarjen dhe akuzat e ngritura ndaj tij.
Ndërkohë, hetimet e grupit hetimor vijojnë intensivisht. Sipas provave të mbledhura deri më tani, si atyre shkencore ashtu edhe rrethanore, ekzistojnë dyshime të forta se Eglant Koçi mund të jetë vrarë dhe më pas trupi i tij të jetë zhdukur.
Autoritetet po vijojnë kërkimet për gjetjen e 34-vjeçarit, ndërsa në fokus të hetimeve mbetet edhe lokalizimi dhe arrestimi i Armand Shakajt, i cili konsiderohet person kyç për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Çështja mbetet nën hetim, ndërsa pritet që zhvillimet e ardhshme të hedhin më shumë dritë mbi fatin e Eglant Koçit dhe rrethanat e zhdukjes së tij.
Lini një Përgjigje