TAGS-AT E JAVËS

Kronike10 Qershor 2026, 10:59

Çmontohet banda shqiptare e trafikut të drogës dhe armëve në Athinë, arrestohen 8 persona

Shkruar nga Pamfleti
Çmontohet banda shqiptare e trafikut të drogës dhe armëve
Policia greke

Një operacion i gjerë policor kundër një grupi të dyshuar për trafik armësh dhe lëndësh narkotike është zhvilluar që në orët e para të mëngjesit të së mërkurës në Athinë.

Operacioni po drejtohet nga Nëndrejtoria e Hetimit dhe Ndjekjes Penale të Krimit në Athinë, ndërsa deri më tani janë arrestuar tetë persona. Sipas autoriteteve, në pranga kanë rënë shtatë burra me origjinë shqiptare dhe një grua greke, e cila dyshohet të ketë pasur rol kyç në veprimtarinë e grupit.

Në aksion po marrin pjesë edhe forcat speciale të policisë greke, OPKE dhe EKAM, të cilat po mbështesin kontrollet dhe arrestimet në terren.

Gjatë kontrolleve të kryera në banesa të ndryshme janë zbuluar dhe sekuestruar sasi droge, kryesisht kokainë, si dhe një numër i konsiderueshëm fishekësh.

Sipas mediave greke, hetimet vijojnë në disa zona të Athinës për të dokumentuar plotësisht aktivitetin e grupit kriminal. Autoritetet pritet të publikojnë detaje të mëtejshme dhe rezultatet përfundimtare të operacionit pas përfundimit të veprimeve hetimore.

Lini një Përgjigje