TAGS-AT E JAVËS

Kronike 9 Qershor 2026, 21:35

Ndërtonte urat mes mafies shqiptare dhe karteleve ekuadoriane, si erdhi fundi i “Polakut”?

Shkruar nga Pamfleti
Ndërtonte urat mes mafies shqiptare dhe karteleve ekuadoriane, si erdhi
Jakimiec Tomasz, i njohur me nofkën “Polaku”

Policia Kombëtare e Ekuadorit ka arrestuar në provincën Santa Elena Jakimiec Tomasz, i njohur me nofkën “Polaku”, një person i kërkuar ndërkombëtarisht për trafik të paligjshëm të lëndëve narkotike.

Lajmi u konfirmua sot nga ministri i Brendshëm i Ekuadorit, John Reimberg, i cili publikoi pamje nga operacioni policor dhe fotografi të rezidencës luksoze ku u krye arrestimi.

Sipas autoriteteve, operacioni i koduar “Varsovia” u realizua nga njësi të specializuara të Policisë Kombëtare dhe kishte si objektiv goditjen e strukturave të përfshira në trafikun ndërkombëtar të drogës.

Sipas ministrit Reimberg, Tomasz, 48 vjeç, është shtetas polak dhe njëkohësisht zotëron nënshtetësi ekuadoriane. Ndaj tij ishte lëshuar një urdhër-arrest ndërkombëtar nga Interpoli për trafik të substancave të kontrolluara.

Hetimet paraprake tregojnë se ai dyshohet të ketë luajtur një rol kyç në një rrjet kriminal ndërkombëtar që merrej me transportimin e sasive të mëdha të drogës nga portet kryesore të Ekuadorit drejt vendeve evropiane.

Lidhjet me grupe kriminale ndërkombëtare

Autoritetet ekuadoriane pretendojnë se i arrestuari kishte lidhje me organizata të ndryshme kriminale, përfshirë grupe të mafies shqiptare, organizata të armatosura kolumbiane, si dhe grupet kriminale ekuadoriane Los Lobos dhe Los Choneros.

Sipas hetuesve, “Polaku” shërbente si një hallkë strategjike për koordinimin e aktiviteteve të trafikut të drogës mes organizatave që operojnë në vende të ndryshme të Amerikës Latine dhe Evropës.

Sekuestrohen armë gjatë operacionit

Gjatë ndërhyrjes policore, agjentët sekuestruan dy armë zjarri, të cilat janë administruar si prova materiale në kuadër të hetimeve.

Pas arrestimit, Tomasz është vënë në dispozicion të autoriteteve gjyqësore për vijimin e procedurave ligjore.

“Nuk ka vend për kriminelët dhe ekonomitë që ata përpiqen të ushqejnë”, deklaroi ministri i Brendshëm John Reimberg, duke komentuar rezultatin e operacionit.

jakimiec tomasz i njohur me nofkën “polaku” arrestim

Lini një Përgjigje