TAGS-AT E JAVËS

Kronike 9 Qershor 2026, 17:01

Emri/ I zhdukur prej vitesh, arrestohet në Itali 42-vjeçari shqiptar!

Shkruar nga Pamfleti
Emri/ I zhdukur prej vitesh, arrestohet në Itali 42-vjeçari
Foto ilustruese

Sefer Selimaj alias Ani Ibraliu u lokalizua dhe u vu në pranga në kuadër të operacionit “The Wanted”, në bashkëpunim mes Interpol Tiranës dhe Interpol Romës.

Pas nëntë vitesh në arrati, një 42-vjeçar i dënuar nga drejtësia shqiptare për trafikim të qenieve njerëzore është arrestuar në Itali me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë.

Policia e Shtetit bëri të ditur se në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, u vu në pranga shtetasi Sefer Selimaj alias Ani Ibraliu, 42 vjeç, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare.

Arrestimi u realizua falë bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit mes specialistëve të Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, të cilët arritën të lokalizonin vendndodhjen e të kërkuarit në territorin italian.

Sipas policisë, Gjykata e Apelit e Tiranës e ka dënuar Selimajn në vitin 2017 me 15 vite burgim për veprën penale “Trafikimi i qenieve njerëzore”, një nga veprat më të rënda penale që lidhet me krimin e organizuar.

Nga dënimi i dhënë nga drejtësia shqiptare, 42-vjeçarit i kanë mbetur për të vuajtur edhe 13 vjet, 10 muaj dhe 19 ditë burgim.

Autoritetet shqiptare dhe ato italiane po vijojnë procedurat ligjore për ekstradimin e tij, me qëllim kthimin në Shqipëri për ekzekutimin e pjesës së mbetur të dënimit.

Operacioni “The Wanted” është pjesë e bashkëpunimit të vazhdueshëm mes agjencive ligjzbatuese shqiptare dhe partnerëve ndërkombëtarë për lokalizimin dhe arrestimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, të cilët përpiqen t’i shmangen drejtësisë duke u fshehur jashtë vendit.

arrestohet në itali 42-vjeçari shqiptar

Lini një Përgjigje