Publikohet fotoja dhe videoja e Armand Shakajt, 41-vjeçarit të njohur me nofkën "Mand Dhelpra", i cili është shpallur në kërkim nga Policia e Shtetit në kuadër të hetimeve për zhdukjen e Eglant Koçit.
Sipas burimeve hetimore, Shakaj konsiderohet si personi kryesor i dyshuar në këtë çështje. Ai dyshohet se ka mbajtur peng 34-vjeçarin, i cili prej disa ditësh rezulton i zhdukur dhe ende nuk është gjetur, pavarësisht operacioneve intensive të kërkimit.
Pamjet e siguruara nga "VoxNews" tregojnë lëvizjet e 41-vjeçarit në momente që tashmë po analizohen nga grupi hetimor si pjesë e provave për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Ndërkohë, hetimet kanë mundësuar identifikimin e ambientit ku dyshohet se ka hyrë Eglant Koçi përpara zhdukjes, si dhe të personave që kanë pasur kontakte me të në orët e fundit para se të humbeshin gjurmët e tij.
Në kuadër të kësaj çështjeje, policia ka arrestuar edhe Enea Zyferin, 25 vjeç, i dyshuar për veprën penale "Përkrahja e autorit të krimit". Sipas hetuesve, ai dyshohet se ka ndihmuar Armand Shakajn pas ngjarjes.
Gjatë veprimeve hetimore janë sekuestruar automjeti me të cilin dyshohet se është transportuar 34-vjeçari, si dhe motomjeti i tij, i cili sipas policisë ishte zhvendosur nga vendi ku ishte parkuar fillimisht. Gjatë ekspertimit të mjetit janë konstatuar njolla gjaku, të cilat dyshohet se mund t’i përkasin Koçit. Mostrat janë dërguar për analiza laboratorike.
Teksa kërkimet për gjetjen e Eglant Koçit vijojnë, autoritetet po punojnë paralelisht edhe për lokalizimin dhe arrestimin e Armand Shakajt.
Lini një Përgjigje