TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota10 Qershor 2026, 14:11

Atentat në Moskë, i vihet bomba në makinë kolonelit rus (Video)

Shkruar nga Pamfleti

 

Atentat në Moskë, i vihet bomba në makinë kolonelit rus
Viktima është koloneli Damir Davydov

Një zyrtar i lartë i ushtrisë ruse është vrarë në një atentat me makinë-bombë pranë Moskës, sipas raportimeve të mediave ruse.

Mjeti shpërthyes, i vendosur nën një automjet tip BMW, shpërtheu rreth orës 05:30 të mëngjesit të së martës, ndërsa koloneli Damir Davydov po drejtonte makinën pranë banesës së tij në qytetin Balashikha, raportoi media e pavarur ruse Astra.

Ngjarja përbën rastin më të fundit në një seri atentatesh që kanë shënjestruar zyrtarë ushtarakë rusë dhe figura të njohura pro luftës që nga nisja e pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia.

Davydov, 57 vjeç, drejtonte Drejtorinë e Furnizimit me Municione për Artilerinë dhe Forcat Raketore të ushtrisë ruse, një pozicion kyç logjistik përgjegjës për shpërndarjen e armëve dhe municioneve për forcat e armatosura.

Kremlini konfirmoi të mërkurën se shpërthimi kishte ndodhur dhe se presidenti Vladimir Putin ishte informuar për incidentin.

I pyetur për hetimet, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, refuzoi të jepte detaje.

“Siç e kuptoni, informacionet që lidhen me një hetim në zhvillim nuk mund të bëhen publike. Kjo është një çështje që u takon shërbimeve tona speciale”, deklaroi ai.

Pamjet e kamerave të sigurisë, të publikuara nga media pranë Kremlinit, duket se tregojnë automjetin e Davydovit duke shpërthyer në flakë dhe më pas duke u përplasur me një makinë të parkuar.

Kanali rus në Telegram Mash raportoi se kalimtarët u përpoqën ta nxirrnin drejtuesin nga automjeti i shkatërruar, por ai ndërroi jetë pak më vonë si pasojë e plagëve të marra.

Një person që tentoi ta ndihmonte kolonelin deklaroi për Astra se Davydov ishte ende gjallë kur u nxor nga makina.

“Të gjitha rrobat i kishin marrë flakë. I shova zjarrin në bluzë dhe ia hoqa që të mos i digjej lëkura. Duke e parë gjendjen e tij, ishte e qartë se kishte shumë pak gjasa të mbijetonte”, tha dëshmitari.

Deri tani, Ukraina nuk ka komentuar lidhur me incidentin.

Pa e akuzuar drejtpërdrejt Kievin, deputeti rus dhe ish-gjenerali Vladimir Shamanov e dënoi sulmin, duke e cilësuar atë si një “akt të papranueshëm”.

“Një guxim i tillë duhet të marrë të njëjtën përgjigje”, deklaroi ai.

Që nga fillimi i luftës, shërbimet inteligjente ukrainase kanë kryer një sërë operacionesh kundër oficerëve të lartë rusë dhe zyrtarëve të emëruar nga Moska në territoret e pushtuara, duke i akuzuar shumë prej tyre për përfshirje në krime lufte.

Atentati i fundit pritet të shtojë presionin mbi strukturat e sigurisë ruse dhe aftësinë e tyre për të mbrojtur figurat e larta shtetërore dhe ushtarake.

Ngjarja ka ndodhur pavarësisht masave të shtuara të sigurisë të vendosura për zyrtarët e lartë ushtarakë dhe politikë, përfshirë presidentin Putin, pas disa sulmeve të bujshme gjatë viteve të fundit.

Për shërbimet ruse të sigurisë, incidenti konsiderohet veçanërisht i sikletshëm pasi ndodhi më pak se 1.5 kilometra larg vendit ku, pak më shumë se një vit më parë, u vra në një atentat të ngjashëm me makinë-bombë gjenerallejtënanti Yaroslav Moskalik, zëvendësshef i Drejtorisë Kryesore të Operacioneve të Forcave të Armatosura Ruse.

Pak informacione janë bërë publike për rrjetet e fshehta ukrainase që besohet se veprojnë brenda Rusisë dhe territoreve të kontrolluara prej saj, duke organizuar atentate dhe sulme ndaj infrastrukturës ushtarake larg vijës së frontit.

Analistët vlerësojnë se sukseset e operacioneve të inteligjencës ukrainase kundër objektivave ruse mund të jenë një nga arsyet pse autoritetet ruse kanë shtuar ndërprerjet e internetit në rajone të ndryshme të vendit, një masë që ka shkaktuar pakënaqësi mes qytetarëve.

Ndërkohë, mediat shtetërore ruse raportuan edhe për një incident të veçantë në Moskë, ku sipas autoriteteve ishte parandaluar një tentativë për vrasjen e një punonjësi të një ndërmarrjeje shkencore-industriale.

Agjencia shtetërore RIA Novosti, duke cituar Komitetin Hetimor të Rusisë, raportoi se një vajzë adoleshente kishte marrë një mjet shpërthyes nga një pikë e fshehtë depozitimi, me udhëzime të personave të lidhur me Ukrainën, dhe më pas ia kishte dorëzuar një djali adoleshent.

Autoritetet ruse thanë se të dy të rinjtë u arrestuan përpara se pajisja shpërthyese të përdorej.

atentat në moskë i vihet bomba në makinë kolonelit rus

Lini një Përgjigje