TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota10 Qershor 2026, 13:12

Amerikën nga aleate në armike, sondazhi zbulon rënien historike të besimit ndaj SHBA-ve në Europë

Shkruar nga Pamfleti
Amerikën nga aleate në armike, sondazhi zbulon rënien historike
Donald Trump me Sekretarin e Mbrojtjes, Pete Hegseth dhe Sekretarin Amerikan të Shtetit, Marco Rubio

Besimi i evropianëve te garancia amerikane e sigurisë ka rënë në nivelin më të ulët të regjistruar ndonjëherë, sipas një sondazhi të publikuar të mërkurën nga organizata kërkimore European Council on Foreign Relations (ECFR).

Studimi, i publikuar përpara samiteve të rëndësishme të G7 dhe NATO-s që do të zhvillohen në javët e ardhshme, nxjerr në pah një mosbesim të thellë ndaj Shteteve të Bashkuara në mbarë Evropën.

Sipas të dhënave, vetëm 11% e të anketuarve në 15 vende evropiane e konsiderojnë SHBA-në një aleate që ndan të njëjtat interesa dhe vlera me vendin e tyre. Kjo përqindje ishte 16% gjashtë muaj më parë dhe 22% në nëntor 2024.

Megjithatë, shumica e evropianëve vazhdojnë ta shohin SHBA-në si një partner të domosdoshëm. Nga ana tjetër, 13% e të anketuarve e konsiderojnë Uashingtonin rival, ndërsa 12% e shohin si kundërshtar të drejtpërdrejtë.

Sondazhi tregon gjithashtu se shumica e qytetarëve në çdo vend të përfshirë nuk besojnë më se SHBA-ja do t’u vinte në ndihmë në rast të një sulmi ushtarak. Në të kundërt, shumica mendojnë se të paktën disa vende evropiane do të ndërhynin për t’i mbështetur në një situatë të tillë.

Autorët e raportit argumentojnë se politika e administratës së presidentit amerikan Donald Trump, përfshirë qëndrimet ndaj Lindjes së Mesme, kërcënimet ndaj Grenlandës, deklaratat për tërheqjen e trupave amerikane nga bazat në Evropë dhe skepticizmin ndaj së ardhmes së NATO-s, ka ndikuar në rritjen e pasigurisë mes aleatëve evropianë.

“Ka një mbështetje të qartë në të gjithë kontinentin për reduktimin e varësisë nga Uashingtoni”, tha Jana Kobzová, bashkautore e studimit dhe studiuese e lartë në ECFR.

Sipas saj, evropianët janë gjithnjë e më të gatshëm të mbështesin rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen dhe shfaqin besim të konsiderueshëm se vendet fqinje do t’i ndihmonin në rast krize.

Edhe Paweł Zerka, bashkautor i raportit dhe studiues i lartë në ECFR, vlerësoi se kërkesa publike për më shumë vetëmbështetje në fushën e sigurisë ka krijuar një mundësi që udhëheqësit evropianë të përshpejtojnë planet për forcimin e mbrojtjes së kontinentit.

Sondazhi u zhvillua në muajin maj në Austri, Bullgari, Danimarkë, Estoni, Francë, Gjermani, Hungari, Itali, Holandë, Poloni, Portugali, Spanjë, Suedi, Zvicër dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Rezultatet tregojnë se mbështetja për rritjen e buxheteve kombëtare të mbrojtjes është rritur mesatarisht me 4 pikë përqindjeje krahasuar me vitin e kaluar. Italia mbetet i vetmi vend ku shumica e qytetarëve vazhdojnë ta kundërshtojnë qartë këtë ide.

Po ashtu, 47% e të anketuarve mbështesin huamarrjen e përbashkët të Bashkimit Evropian për financimin e shpenzimeve më të larta ushtarake, ndërsa 35% janë kundër. Mbështetja më e fortë për këtë mekanizëm u regjistrua në Portugali (59%), Danimarkë (56%), Holandë (55%) dhe Spanjë.

Në pothuajse të gjitha vendet e përfshira në studim, shumica e qytetarëve kërkojnë gjithashtu uljen e varësisë strategjike nga pajisjet ushtarake amerikane. Përkrahësit e sloganit “Blej evropiane” janë më të shumtë në Danimarkë (75%), Holandë (72%), Suedi (70%), Portugali (69%), Francë (66%), Zvicër (64%), si dhe në Mbretërinë e Bashkuar dhe Spanjë (nga 62%).

Megjithatë, mbështetja bie ndjeshëm kur bëhet fjalë për shkurtimin e shpenzimeve publike për të financuar rritjen e buxheteve të mbrojtjes. Kundërshtimi më i madh ndaj kësaj ideje u regjistrua në Itali (63%), Austri (59%), Gjermani (56%), Spanjë (54%) dhe Danimarkë (52%).

Raporti tregon gjithashtu se vetëm 29% e të anketuarve mbështesin zëvendësimin e NATO-s me një strukturë të re mbrojtëse të përbërë vetëm nga vendet e Bashkimit Evropian.

Në shumicën dërrmuese të vendeve, qytetarët besojnë se marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Evropës do të përmirësohen pas largimit të Donald Trump nga skena politike. Mbi 60% e të anketuarve në Francë, Spanjë, Danimarkë, Holandë dhe Suedi ndajnë këtë pritshmëri.

Lidhur me energjinë, 44% e evropianëve mendojnë se rifillimi i importeve të naftës dhe gazit nga Rusia do të ishte një ide “mjaft e keqe” ose “shumë e keqe”, pavarësisht kostove më të larta të energjisë.

Ndërkohë, aspirata e Ukrainës për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian vazhdon të ndajë opinionin publik evropian. Në vende si Hungaria, Bullgaria, Austria, Gjermania dhe madje edhe Estonia, një nga mbështetëset më të forta të Kievit – më shumë qytetarë kundërshtojnë pranimin e Ukrainës në kushtet aktuale sesa e mbështesin atë./ The Guardian

sondazhi rënien historike të besimit ndaj shba-ve në europë

Lini një Përgjigje