TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota10 Qershor 2026, 01:10

Reagon Trump: Kundërpërgjigjja ndaj Iranit, shumë e fortë dhe shumë e fuqishme

Shkruar nga Pamfleti
Reagon Trump: Kundërpërgjigjja ndaj Iranit, shumë e fortë
Donald Trump

Presidenti amerikan tha se SHBA po i përgjigjet rrëzimit të një helikopteri Apache, ndërsa vetëm disa orë më herët e kishte minimizuar incidentin.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se kundërpërgjigjja amerikane ndaj Iranit për rrëzimin e një helikopteri ushtarak Apache është “shumë e fortë dhe shumë e fuqishme”.

Mendoj se është shumë e rëndësishme të përgjigjemi. Ata rrëzuan një helikopter dhe ne po përgjigjemi në këto momente”, tha Trump për gazetarin e ABC News, Jonathan Karl, ndërsa Komanda Qendrore Amerikane (CENTCOM) po njoftonte zyrtarisht nisjen e sulmeve kundër objektivave iraniane.

Kjo është një përgjigje ndaj asaj që bënë. E bënë me helikopterin tonë mbrëmë dhe besoj se kundërpërgjigjja duhet të jetë shumë e fortë, shumë e fuqishme dhe pikërisht e tillë është”, shtoi ai.

Deklaratat e Trump vijnë vetëm pak orë pasi presidenti amerikan kishte minimizuar incidentin. Në një intervistë për Wall Street Journal të martën, ai kishte thënë se rrëzimi i helikopterit “nuk ishte ndonjë gjë e madhe”.

Më herët, në një postim në Truth Social, Trump konfirmoi se dy pilotët e Apache-t kishin shpëtuar pa lëndime.

“Megjithatë, Shtetet e Bashkuara duhet domosdoshmërisht t’i përgjigjen këtij sulmi”, shkroi ai.

Deklaratat e presidentit amerikan vijnë në një moment kur tensionet mes Uashingtonit dhe Teheranit janë përshkallëzuar ndjeshëm, pas sulmeve amerikane ndaj objektivave iraniane dhe njoftimit të Iranit për lëshimin e raketave dhe dronëve drejt objektivave amerikane në rajon.

 

Lini një Përgjigje