Suksesi i parë dhe më i rëndësishëm është zgjimi i ndërgjegjes dhe refuzimi i nënshtrimit. Pavarësisht mureve të sistemit, kapitali moral i krijuar në rrugë është tashmë i pakthyeshëm dhe përfaqëson të ardhmen e vetme të vendit
Mos e kërkoni të vërtetën e protestës nëpër mediat e qeverisë apo kanalet e ‘opozitës’. Atje jeta ka ngrirë. Ka mbetur një teatër hijesh, i ndërtuar për të ushqyer iluzionin e një pakice që mendon se mund të sundojë pa afat.
Kjo është Shqipëria e fasadës, e majmur mbi kurrizin e parasë publike. Është republika e fodullëve të luksit, që e shesin vjedhjen si sukses. Aty mbillet përditë helm dhe ndasi, ushqehet qëllimisht lufta mes dy llogoreve false, si i vetmi tharm jetik që mban në këmbë një klasë politike dështakësh arrogantë.
Shqipëria që merr frymë, Shqipëria që rreh në gjoksin e njerëzve, është sot në sheshe dhe në rrugë. Jashtë rrezes së kamerave të blera apo të rreshtuara, ajo po rilidh fijet e këputura me fatin e një vendi që deri dje dukej se po lundronte pa busull.
Kjo Shqipëri e re është sot përgjigja më e mprehtë ndaj pyetjes që peshonte mbi të gjithë: ‘A ka më shpresë ky vend?’. Kjo shpresë nuk erdhi me reformat e diktuara zyrave të huaja, as nga komedia cinike e hajdutit që thërret ‘kapeni hajdutin’.
Rilindi me këta të rinj që refuzuan të kapitullojnë përballë sistemit të betonuar të faktit të kryer.
Ky sistem nuk bie kollaj, kjo dihet. Ai mbrohet nga një rrjet i dendur interesash i atyre që ditën shahen dhe natën janë ortakë. Këta kanë sot në dorë paratë, pushtetin, kanë edhe një ushtri mercenarësh, misioni i të cilëve është ta thyejnë e ta përçajnë shpirtin e rezistencës.
Por sido të shkojë, një triumf i madh dhe i prekshëm është arritur. Skenari i apatisë dështoi. U gris perdja e shpifur e propagandës që tenton ta fshehë kalbësirën morale, nën shkëlqimin e rremë të luksit. Mësuam se fryma nuk është shuar. Se Shqipëria e bukur ekziston.
Mund të blihet shumëçka, por kurrë dinjiteti i një populli.
Fitore është se njerëz me shpirt të pastër refuzuan të qëndrojnë thjesht spektatorë. Ky akt guximi i dëshmoi vendit dhe botës se shpirti i rezistencës shqiptare është ende gjallë.
Ky është një kapital i madh moral.
Asnjë sundimtar i rremë që kujton se paratë dhe pushteti e kanë ngritur përgjithmonë mbi njerëzit, nuk mund ta zhbëjë dot më. /Dita
Lini një Përgjigje