Pas 3 orësh protestë dhe një marshimi në rrugët e kryeqytetit, mijëra qytetarë u rikthyen te Kryeministria duke përsëritur thirrjet për dorëheqjen e Edi Ramës dhe duke paralajmëruar se mobilizimi do të vijojë çdo ditë.
Pas më shumë se një ore marshimi kilometrik në rrugët e kryeqytetit, protestuesit janë rikthyer sërish në bulevard te Kryeministria, duke vijuar tubimin në ditën e 10-të të protestës kundër qeverisë Rama.
Pavarësisht orëve të gjata në rrugë, qytetarët e mbledhur në Tiranë shprehen të vendosur për të vazhduar protestat edhe në ditët në vijim, duke paralajmëruar se mobilizimi do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave të tyre.
Pas fjalimeve para Kryeministrisë, mijëra protestues kanë marshuar dhe kanë qëndruar në shesh, duke brohoritur kundër qeverisë dhe klasës politike.
“Rama në burg, Berisha në burg” dhe “Edi Rama ka mbaru” ishin ndër thirrjet që u dëgjuan më shpesh gjatë protestës.
Tubimi ka bërë bashkë qytetarë të të gjitha grupmoshave, nga të rinj e të reja, te familje me fëmijë dhe të moshuar, të cilët deklarojnë se kundërshtojnë korrupsionin, keqqeverisjen dhe problematikat që, sipas tyre, kanë prekur vendin prej vitesh.
Organizatorët dhe pjesëmarrësit këmbëngulin se protesta do të vijojë çdo ditë dhe se numri i qytetarëve që i bashkohen lëvizjes po rritet vazhdimisht.

Protesta e 9 qershorit, e cila shënoi ditën e 10-të të mobilizimit qytetar në Tiranë, u karakterizua nga thirrje të vazhdueshme kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Gjatë marshimit dhe tubimit në bulevard, protestuesit brohoritën slogane si “Rama jep dorëheqjen”, “Rama në burg”, “Edi Rama ka mbaru” dhe “Shqipëria nuk shitet”, ndërsa një pjesë e tyre shënjestruan edhe opozitën me thirrje si “Berisha në burg”.
Pjesëmarrësit deklaruan se protesta ka tejkaluar tashmë kauzën fillestare të Zvërnecit dhe përfaqëson pakënaqësinë ndaj korrupsionit, emigracionit, varfërisë, ligjit për investimet strategjike dhe asaj që ata e cilësojnë si kapje të shtetit nga politika.
Të vendosur për të vijuar mobilizimin e tyre, protestuesit marshojnë nëpër kryeqytet me flamurin kuqezi në krye.

Lini një Përgjigje