
Edhe pas 4 orë e gjysmë proteste, qytetarët u shfaqën të palëkundur për të vijuar mobilizimin e tyre, duke deklaruar se do të vazhdojnë çdo ditë me të njëjtin vendosmëri që treguan në ditën e parë të protestës.
Pas përfundimit të marshimit në rrugët e kryeqytetit, një pjesë e protestuesve janë rikthyer sërish para godinës së Kryeministrisë, ku kanë vijuar tubimin me fjalime dhe thirrje kundër qeverisë.
Të ulur në bulevard përballë Kryeministrisë, qytetarët u kanë bërë thirrje shqiptarëve t'u bashkohen protestave, duke kërkuar që tubimi i ditës së nesërme të ketë një pjesëmarrje edhe më të madhe. Fjalimet zgjasin vetëm pak minuta, por marshimet vazhdojnë ende, ndërsa qytetarët shprehen të vendosur për të mos u tërhequr nga protesta e tyre.
Megjithëse kanë kaluar më shumë se katër orë e gjysmë që nga nisja e protestës dhe marshimi në akset kryesore të kryeqytetit, protestuesit vijojnë të qëndrojnë në shesh. Të rinj e të reja, gra, burra, fëmijë dhe të moshuar kanë vazhduar të brohorasin sloganet e tyre, mes të cilave spikatën thirrjet "Rama në burg, Berisha në burg" dhe kërkesat për largimin e klasës politike.
Ndërkohë, protesta ka vijuar të ndikojë edhe në qarkullimin rrugor. Në disa prej zonave më të frekuentuara dhe pikave kyçe të kalimit në kryeqytet, lëvizja e automjeteve është bllokuar për shkak të marshimit të protestuesve, duke shkaktuar trafik dhe paralizim të përkohshëm të qarkullimit.
Protestuesit kanë paralajmëruar se mobilizimi do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, ndërsa tubimet nisin çdo mbrëmje në orën 18:00 dhe zgjasin deri në orët e vona të natës.
Lini një Përgjigje