Një 24-vjeçar turk rezulton i zhdukur në Tiranë prej më shumë se dy ditësh, ndërsa familjarët dhe miqtë e tij kanë humbur çdo kontakt me të.
Sipas dëshmisë së një shtetaseje turke, e cila jetonte me të në një banesë në rrugën “Demir Zyko” në kryeqytet, i riu me emrin Doğukan Çınar është larguar që prej ditës së diel dhe nuk është kthyer më.
Mikja e tij tregon se fillimisht kishte menduar se 24-vjeçari mund të kishte dalë për të takuar dikë, por shqetësimi është rritur me kalimin e orëve dhe ditëve, pasi ai nuk ka dhënë asnjë shenjë jete.
“Ju lutem më ndihmoni. Nuk e di çfarë ka ndodhur. Kam pyetur nëpër spitale dhe ndodhem në komisariat. Nuk e di si do t’ia them nënës dhe motrës së tij”, shprehet ajo në mesazhin e saj.
Sipas dëshmisë, telefoni i të riut rezulton i fikur, ndërsa pasaporta e tij ndodhet ende në banesë. Ajo pretendon se Doğukan është larguar duke marrë me vete vetëm një shumë të vogël parash.
Gruaja ka bërë me dije se është paraqitur në polici për të kallëzuar rastin, por ka hasur vështirësi procedurale për shkak të mungesës së një përkthyesi të certifikuar, pasi as ajo dhe as 24-vjeçari nuk janë shtetas shqiptarë.
Sipas saj, ditët e fundit i riu kishte shfaqur shenja ankthi, ndërsa hera e fundit që është parë ka qenë në banesën ku jetonin së bashku në Tiranë.
Kushdo që disponon informacion mbi vendndodhjen e Doğukan Çınar, është i lutur të kontaktojë Policinë e Shtetit.
Lini një Përgjigje