Pas fjalimeve para selisë së qeverisë, qytetarët iu rikthyen marshimit në kryeqytet. Thirrjet mbeten të njëjta: “Rama ik”, “Berisha në burg”, “Duam drejtësi” dhe “Atdheu nuk shitet”.
Pas përfundimit të fjalimeve para Kryeministrisë, protestuesit kanë nisur marshimin në rrugët e Tiranës, duke vijuar kështu ditën e dhjetë të mobilizimit qytetar kundër qeverisë dhe klasës politike.
Ashtu si një ditë më parë, turma është zhvendosur nga sheshi para Kryeministrisë drejt akseve kryesore të kryeqytetit, ndërsa pjesëmarrësit kanë paralajmëruar se marshimi do të vazhdojë për disa orë.
Gjatë tubimit, qytetarët përsëritën thirrjet që janë bërë simbol i protestës gjatë këtyre ditëve. “Rama ik”, “Berisha në burg”, “Duam drejtësi”, “Atdheu nuk shitet”, “Shqipëri e Re” dhe “Bashkohuni me ne” kanë dominuar sërish atmosferën mes protestuesve.
Ndryshe nga protestat tradicionale politike, në marshim vijojnë të dëgjohen kritika jo vetëm ndaj qeverisë, por edhe ndaj opozitës, ndërsa një pjesë e pjesëmarrësve shprehen se nuk ndihen të përfaqësuar nga asnjë prej forcave politike që kanë dominuar jetën publike në vend gjatë dekadave të fundit.
Marshimi i sotëm vjen pas një nate të gjatë proteste një ditë më parë, kur qytetarët qëndruan për më shumë se pesë orë në rrugët e Tiranës. Kolona të gjata protestuesish përshkuan qendrën e kryeqytetit, zonën e Korpusit Universitar dhe disa nga akset kryesore të qytetit, duke e kthyer protestën në një nga mobilizimet më të gjata të ditëve të fundit.
Teksa turma lëviz nëpër rrugët e Tiranës, protestuesit vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndëshkimin e korrupsionit dhe ndryshime të thella në sistemin politik, ndërsa protesta që nisi dhjetë ditë më parë duket se nuk po humbet ritëm.
Tashmë mbetet për t’u parë nëse edhe mbrëmja e sotme do të ndjekë të njëjtin skenar si ajo e djeshmja, kur marshimi vazhdoi për orë të tëra dhe rrugët e kryeqytetit u mbushën me thirrjet e qytetarëve që kërkojnë ndryshim.
Kaq pak njerz te arti, kultures dhe akademise kane dal publikisht ne perkrahje te kesaj shprese?! Ka apo ska?! Apo jane edhe ata te kapur, Si nuk ju vjen turp!?