TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 9 Qershor 2026, 19:43

Nga protesta te zgjedhjet, lëvizja qytetare dorëzon në KQZ draftin për ndryshimin e Kodit Zgjedhor

Shkruar nga Pamfleti
Nga protesta te zgjedhjet, lëvizja qytetare dorëzon në KQZ
Pamje nga protesta

Protesta e ditës së dhjetë para Kryeministrisë nuk u fokusua vetëm te kërkesat për largimin e kryeministrit Edi Rama, por solli edhe propozime konkrete për ndryshime në sistemin zgjedhor.

Aktivisti Edmond Gjata, një nga zërat e lëvizjes qytetare që prej ditësh po proteston në Tiranë, bëri të ditur se është dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve një draft për ndryshimin e Kodit Zgjedhor.

Sipas tij, sistemi aktual ka funksionuar për dekada në interes të partive politike, ndërsa synimi i propozimit të ri është që zgjedhjet e ardhshme të zhvillohen me rregulla që vendosin qytetarin në qendër të procesit.

Kemi dorëzuar në KQZ një draft për ndryshime të Kodit Zgjedhor. Shqipëria e re fillon nga zgjedhje të lira dhe të ndershme. Këto zgjedhje në 35 vite janë bërë për partitë, jo për qytetarët. Kodi i ri është kodi i qytetarëve, që shprehin interesat e tyre dhe jo të Edi Ramës. Veprimi qytetar, që përfaqëson interesat e tyre, do të këmbëngulë që në zgjedhjet e ardhshme të shkohet me rregulla të reja loje ku përparësi të kenë qytetarët”, deklaroi Gjata para protestuesve.

Në fjalën e tij, aktivisti ngriti edhe akuza politike ndaj kryeministrit, duke lidhur çështjen e reformës zgjedhore me atë që ai e konsideroi si cenim të interesave kombëtare.

“Pas shitjes së Shën Naumit, Edi Rama guxon të shesë Sazanin”, u shpreh Gjata mes duartrokitjeve të protestuesve.

Deklarata vjen në një moment kur protesta qytetare ka hyrë në ditën e saj të dhjetë dhe po përpiqet të artikulojë jo vetëm pakënaqësinë ndaj qeverisë, por edhe propozime që sipas pjesëmarrësve synojnë të ndryshojnë mënyrën e funksionimit të sistemit politik në vend.

proteste

Lini një Përgjigje