
Protestuesit kanë bllokuar pothuajse të gjitha kryqëzimet dhe akset kryesore të Tiranës, ndërsa protesta kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama ka hyrë në ditën e saj të dhjetë.
Marshimi është shtrirë në disa prej zonave më të frekuentuara të kryeqytetit, përfshirë qendrën e Tiranës, Rrugën e Durrësit, zonën e Pazarit të Ri, zonën e ish-Stacionit të Trenit, Rrugën e Elbasanit, Zogun e Zi, Bllokun dhe zonën e Piramidës, duke sjellë bllokim të qarkullimit në një pjesë të madhe të qytetit.
Me flamuj kombëtarë dhe pankarta në duar, qytetarët kanë marshuar për orë të tëra në rrugët e kryeqytetit, duke e kthyer protestën në një nga mobilizimet më masive të organizuara deri më tani.
Gjatë tubimit janë dëgjuar vazhdimisht thirrje si “Rama jep dorëheqjen”, “Rama në burg, Berisha në burg” dhe “Edi Rama ka mbaru”, ndërsa protestuesit kanë kërkuar largimin e kryeministrit dhe mbajtjen përgjegjëse të klasës politike në tërësi.
Pjesëmarrësit deklarojnë se protesta nuk lidhet më vetëm me një kauzë të vetme, por përfaqëson pakënaqësitë ndaj korrupsionit, keqqeverisjes dhe mënyrës së administrimit të pasurive publike.
Protesta është shoqëruar gjithashtu me pankarta satirike, mesazhe ironike dhe thirrje për vazhdimin e mobilizimit qytetar, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar se tubimet do të vijojnë edhe në ditët e ardhshme.
Protestuesit kanë paralajmëruar se mobilizimi do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, me tubimet që nisin çdo ditë në orën 18:00 dhe zgjasin deri rreth orës 23:30. Sipas tyre, protesta do të vijojë pa ndërprerje deri në realizimin e kërkesave të ngritura ndaj qeverisë dhe klasës politike.
Lini një Përgjigje