Pse kundërshtari politik s’duhet të shpallet “armiku etnik”, dhe si protestat në Serbi e Shqipëri pasqyrojnë të njëjtin konflikt mes autoritarizmit dhe qytetarëve...
Miqve të mi shqiptarë
Që nga dita e parë e protestave në Shqipëri, të nxitura nga shitja e planifikuar e Ishullit të Sazanit dhe Plazhit të Zvërnecit, si dhe nga ndërtimi i një resorti luksoz në zonën e mbrojtur të Lagunës së Nartës nga një konsorcium i udhëhequr nga dhëndri i Trump-it, Jared Kushner - janë shfaqur pankarta që e quajnë në mënyrë përçmuese Edi Ramën “Ramović”.
Logjika e nënkuptuar pas këtij delegjitimimi të kryeministrit shqiptar - i cili e mbron me forcë projektin si një investim të rëndësishëm dhe një mundësi për zhvillimin e Shqipërisë - është e qartë: Rama po vepron aq shumë kundër interesave të shtetit dhe kombit shqiptar, sa (sikur të ishte) serb, e jo shqiptar.
Ky emërtim na tregon se armiqësia dhe intoleranca serbo-shqiptare kanë arritur përmasa të tilla, saqë etnonimi “serb”, edhe në një situatë që s’ka absolutisht asgjë të bëjë me Serbinë apo serbët, mund të aktivizohet në diskursin publik për të përcjellë jo vetëm një mesazh negativ, por mesazhin më fyes të mundshëm.
Ta quash sot një shqiptar “serb” përfaqëson fyerjen më të rëndë dhe e zhvesh atë nga çdo cilësi shqiptare, patriotike dhe morale.
Figura e armikut
Të njëjtën logjikë etno-nacionaliste e kemi hasur prej vitesh në Serbi në brohoritjet e tifozëve në ngjarje sportive dhe, që prej vitit të kaluar, edhe në protestat kundër Vuçiçit dhe regjimit të tij, në sloganin: puši k…c Aco “šiptare” (thith k…n, Aco “shiptar”.
Pra, të dy mesazhet janë identike në çdo aspekt, përveç etnonimit përçmues: fyerja më e rëndë për një shqiptar dhe akuza më e fuqishme për tradhti kombëtare është ta quash serb; ndërsa për një serb, ta quash shqiptar, ose më keq akoma, “shiptar”.
Disa kritikë, sidomos mes shqiptarëve, nxituan ta delegjitimonin të gjithë protestën studentore dhe qytetare në Serbi si thelbësisht etno-nacionaliste për shkak të këtyre sloganeve. Për shembull Veton Surroi, verën e kaluar shkroi se lëvizja ishte kthyer në mënyrë të pakthyeshme drejt nacionalizmit.
Madje se Serbia po përgatitej për një luftë të re. Në mënyrë të ngjashme, Michael Martens
në Frankfurter Allgemeine Zeitung argumenton se studentët po përvetësojnë retorikë nacionaliste, duke cituar sloganet dhe simbolet e shfaqura në demonstrata, ndërsa Hani Erceg përfundon se thirrjet “Aco the shiptar” dëshmojnë “një përbuzje raciste ndaj shqiptarëve të Kosovës”.
Këto kritika, ndonëse jo pa bazë, kërkojnë një kontekstualizim më të kujdesshëm. Shumica e raportimeve dhe pamjeve tregojnë se bëhet fjalë për incidente të izoluara nga grupe të vogla, shpesh huliganë ose tifozë, jo për bërthamën e studentëve, dhe se ato nuk përfaqësojnë parimet e lëvizjes apo shumicën e pjesëmarrësve.
Thënë thjesht, masa prej qindra mijëra njerëzish nuk i brohoret këto slogane në unison, as studentët organizatorë të protestës. Siç theksoi edhe Gresa Hasa në fillim të protestave në Tiranë, “disa simbole apo flamuj nacionalistë që shihen herë pas here nuk janë përfaqësues
të protestës në tërësi. Janë raste të izoluara që nuk pasqyrojnë parimet e lëvizjes”.
Organizatorët studentë kanë bërë vazhdimisht thirrje që pjesëmarrësit të vijnë pa simbole partiake apo ideologjike. Kontrolli i turmave me dhjetëra apo qindra mijëra vetë është praktikisht i pamundur, por gjatë protestave nuk ka pasur viktima.
Incidentet që mund t’u atribuohen protestuesve - pa llogaritur provokatorë të maskuar me origjinë të paqartë, për të cilët ka dyshime të arsyeshme se janë infiltruar nga regjimi për të diskredituar protestën - kanë qenë shumë më të pakta dhe më të lehta se në protesta të mëparshme, festa tifozësh apo mitingje për Kosovën; nuk ka pasur thyerje dyqanesh apo plaçkitje.
Pas tubimeve, organizatorët dhe pjesëmarrësit pastrojnë rrugët dhe e lënë qytetin në të njëjtën gjendje siç e gjetën. Si dikush që ka shkruar dhe redaktuar disa libra mbi paraqitjen negative të shqiptarëve në kulturën serbe dhe që e ka kritikuar nacionalizmin serb për dekada, jam plotësisht i vetëdijshëm se sa negative dhe të rrezikshme janë këto dukuri.
Ndjenjat anti-shqiptare dhe anti-serbe po bëhen pjesë e folklorit të rrugës, fyerje të gatshme, rezerva simbolike që mund të aktivizohen në situata të ndryshme. Figura e armikut të lig serb/shqiptar formësohet dhe është gati për përdorim si një armë e mbushur pa siguresë.
Thelbi i protestave
Por - dhe kjo është thelbësore - ne nuk duhet t’i identifikojmë britmat më të këqija etno-nacionaliste të huliganëve me thelbin e protestave aktuale, dhe as t’i barazojmë ato me opinionin e shumicës.
Përndryshe rrezikojmë të humbasim pyllin për shkak të disa pemëve dhe të mbetemi përgjithmonë të bllokuar në grindjet etno-nacionaliste që liderët autoritarë i shfrytëzojnë, ndërsa për pushtet dhe interesa ekonomike shkatërrojnë burimet e pakta natyrore dhe ekonomike që kanë mbetur në pronësi publike.
Nëse duam të dimë se çfarë mendojnë vërtet studentët, prova më e besueshme vjen nga një sondazh sistematik i kryer nga Instituti për Filozofi dhe Teori Shoqërore (IFDT) dhe Fakulteti i Shkencave Politike (FPN), me rreth 1.000 studentë pjesëmarrës aktivë në plenumet e disa fakulteteve të Beogradit nga janari deri në maj 2025.
Gjetjet e tij janë të qarta: shumica dërrmuese përqafojnë vlera liberale; pyetjes “Sa e rëndësishme është për ju të jetoni në një vend të qeverisur në mënyrë demokratike?” i dhanë mesatarisht notën 8.9 nga 10. Prioritetet kryesore të përmendura janë drejtësia sociale, sundimi i ligjit dhe demokracia.
Zogjtë e shpëtuan Romën
“Atdheu mbrohet me një lule…
dhe me një zog në fluturim”
Ljubivoje Ršumović
Pikërisht në këtë dimension të luftës për drejtësi sociale dhe mjedisore duhet parë ngjashmëria e thellë mes protestave aktuale në Serbi dhe Shqipëri. Është detyrë e intelektualëve në rajon jo vetëm t’i përkrahin këto protesta, por edhe të theksojnë ndërlidhjen e tyre dhe të thërrasin për solidaritet rajonal.
Protestat maqedonase kundër Gruevskit në Maqedoninë e Veriut, treguan se me këmbëngulje dhe një opozitë të bashkuar është e mundur të zëvendësohet një qeveri autoritare. Ky mesazh jehoi në Mal të Zi, ku qytetarët zëvendësuan regjimin e Gjukanoviçit.
Këta shembuj inkurajojnë edhe qytetarët serbë. Po kështu, protestat aktuale në Shqipëri ushqehen nga energjia e revoltës popullore në Serbi. Qeveria serbe i premtoi Kushner-it hapësirë për një hotel luksoz në qendër të Beogradit, në një zonë nga e cila statusi i trashëgimisë kulturore u hoq në mënyrë të dyshimtë.
Por qytetarët dhe ekspertët rezistuan; u hap çështje penale ndaj disa zyrtarëve dhe projekti u braktis. A nuk është ky një mesazh më i rëndësishëm për qytetarët shqiptarë sesa sloganet fyese?
Së fundi, një mesazh inkurajues për qytetarët shqiptarë që mbrojnë Zvërnecin dhe Lagunën e Nartës - një rezervat natyror që është strehë për qindra specie, përfshirë flamingot, pelikanët dhe breshkat e detit.
Vetëm pak ditë më parë, partia e Vuçiç vendosi një banderolë gjigante mbi ndërtesën “Albanija” në qendër të Beogradit, duke penguar dallëndyshet alpine - specie e mbrojtur - të hynin në foletë e tyre. Reagimi i shpejtë qytetar detyroi heqjen e saj.
“Albanija” u mbrojt, ashtu si zogjtë e saj. Dhe ndoshta ky është mesazhi thelbësor që protestat serbe u dërgojnë fqinjëve: ne u përballëm me projekte të dëmshme, mbrojtëm trashëgiminë dhe natyrën që nuk i përket asnjë kombi - as serbëve, as shqiptarëve - por të gjithëve ne, dhe vetë tokës.
Në këtë betejë, Shqipëria ka mbështetjen, simpatinë dhe solidaritetin tonë./Pamfleti nga “BIEPAG”
O pamfleti! Kjo fraze e autorit shkja: "një zonë nga e cila statusi i trashëgimisë kulturore u hoq në mënyrë të dyshimtë" do te duhej te ishte e mjaftueshme për ju qe te mos botoni shkrimet e çetnikve te fjetur ne dukje paqësor. Sepse, ju e dini, qe ate objekt qe tani shitjet e quajnë trashëgimi kulturore, nuk e bombardojnë NATOper qejf. E bombardojnë çerdhen e gjenocidialve shkije qe u nisen te shfarosjen popullin shqiptar. Turp per ju, o Pamfleti!
Bukur e me shpirt e keni shkruar ate pankarte, 's'na mori Vicic ... Problemi se e keqja jo vetem e Shqiptareve por e gjithe botes eshte se te gjitha kalate jane marre nga brenda. Une perdor gjithnje filozofine e popullit tim ne komente, jo si ca "akademike" me fjale greko-latine te duken folozofe qe nuk i pjerdh populli. Populli e do troc, troc e po e mori troc te shker...