Në ditët e fundit kanë qarkulluar gjerësisht raportime që lidhnin sulmuesin e Shqipërisë, Arbër Hoxha, me një transferim të mundshëm nga Dinamo e Zagrebit te skuadra polake Uidzju Lodz. Megjithatë, zhvillimet më të fundit duket se e ndryshojnë këtë skenar.
Gazetari i njohur polak Tomasz Ulodarçzik ka deklaruar se lëvizja e Hoxhës drejt Uidzju Lodz nuk do të konkretizohet, pavarësisht spekulimeve që kanë qarkulluar në media. Ai nuk ka dhënë detaje shtesë mbi arsyet e dështimit të mundshëm të marrëveshjes.
Mbetet e paqartë nëse pengesa lidhet me kërkesat ekonomike të Dinamos së Zagrebit apo me preferencat e vetë futbollistit, i cili mund të jetë në kërkim të një destinacioni më konkurrues në arenën evropiane.
Arbër Hoxha është nën kontratë me kampionët kroatë deri në verën e vitit 2029. Sipas të dhënave të platformës “Transfermarkt”, vlera e kartonit të 27-vjeçarit vlerësohet rreth 3 milionë euro.
Kjo nuk është hera e parë që emri i sulmuesit shqiptar lidhet me një transferim. Disa muaj më parë, mediat raportuan gjithashtu për interesimin e klubit anglez Hall Sitit, duke konfirmuar se Hoxha mbetet një nga lojtarët shqiptarë që po tërheq vëmendje në tregun e transferimeve.
Lini një Përgjigje