Një ëndërr e ndjekur për katër vite me radhë u shkatërrua brenda pak orësh nga burokracia amerikane. Omar Abdulkadir Artan, arbitri somalez që mund të bëhej i pari nga vendi i tij që do të gjykonte në një Kampionat Botëror, u dëbua nga Shtetet e Bashkuara pasi u ngatërrua me një person tjetër që mban të njëjtin emër.
Artan kishte mbërritur në Florida për të marrë pjesë në grumbullimin e arbitrave të organizuar nga FIFA në kuadër të Botërorit. Edhe pse ishte i pajisur me dokumentacion dhe vizë të rregullt, ai u ndalua menjëherë pas mbërritjes në aeroportin e Miamit.
Sipas raportimeve, arbitri somalez iu nënshtrua një marrjeje në pyetje që zgjati rreth 11 orë. Më pas ai u mbajt për disa orë në qeli, përpara se autoritetet amerikane të vendosnin dëbimin e tij nga vendi.
Në një intervistë për “The New York Times”, Artan tregoi zhgënjimin e tij për atë që ndodhi.
“Jam thjesht një arbitër që po përpiqej të realizonte ëndrrën e tij më të madhe, të ishte pjesë e Botërorit. Kisha të gjitha dokumentet në rregull, por u mora në pyetje për orë të tëra, u mbajta në burg dhe më pas u dëbova. Besoj se problemi lidhet me vendin tim të origjinës”, deklaroi ai.
Sipas mediave ndërkombëtare, situata u komplikua nga fakti se Artan ka të njëjtin emër me një prej drejtuesve të grupit militant Al Shabab, organizatë që vepron në Somali. Gjatë marrjes në pyetje, autoritetet amerikane e pyetën vazhdimisht nëse kishte lidhje ose kontakte me këtë grup.
“Më pyetën disa herë nëse kisha takuar përfaqësues të Al Shabab. U shpjegova se nuk dija asgjë për ta dhe se ndodhesha në SHBA vetëm për të kryer detyrën time si arbitër”, rrëfeu ai.
Rasti i tij ka ngjallur reagime të shumta dhe është bërë viral në rrjetet sociale, duke rikthyer debatin mbi politikat amerikane të emigracionit. Kritika kanë ardhur edhe nga figura të Partisë Demokratike, mes tyre edhe ish-sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton.
Omar Artan ishte një nga 52 arbitrat e përzgjedhur për aktivitetet përgatitore të Botërorit dhe konsiderohet një nga arbitrat më të vlerësuar afrikanë të viteve të fundit.
Pas dëbimit, ai u kthye në Mogadisho, ku u prit nga gazetarë dhe qytetarë që e konsideruan një hero. Megjithatë, pritja e ngrohtë në vendlindje nuk mundi të zëvendësonte zhgënjimin për humbjen e mundësisë së madhe për të qenë pjesë e skenës më të rëndësishme të futbollit botëror.
Lini një Përgjigje