
Këngëtarja Xhensila Myrtezaj ka reaguar pas lajmeve të shpërndara ditët e fundit në media dhe rrjete sociale, ku shkruhej se ajo ishte nën hetim nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Përmes një deklarate të publikuar në rrjetet e saj sociale, Myrtezaj i ka mohuar kategorikisht këto pretendime, duke deklaruar se nuk është subjekt i asnjë hetimi nga organi i posaçëm.
Këngëtarja ka akuzuar publikimet për cenim të figurës dhe reputacionit të saj, ndërsa ka paralajmëruar se do të ndjekë në rrugë ligjore çdo rast që, sipas saj, përmban informacione të pavërteta.
Në deklaratën e saj, Myrtezaj u ka bërë thirrje mediave sociale që të verifikojnë informacionet përpara publikimit, duke theksuar se çdo pretendim i pabazuar do të përballet me procedura ligjore.
“Portalet dhe faqet që kanë publikuar ose shpërndarë lajme të pavërteta duke përfshirë emrin tim kanë keqinformuar opinionin publik. Sqaroj qartë se nuk jam subjekt i asnjë hetimi nga SPAK. Çdo pretendim në të kundërt është i rremë, i pabazuar dhe cenon figurën, dinjitetin dhe reputacionin tim.
I bëj thirrje të gjitha mediave dhe portaleve të verifikojnë faktet përpara publikimit. Çdo shpifje apo informacion i pavërtetë që dëmton reputacionin tim do të ndiqet me të gjitha mjetet ligjore. Dhe çdo portal që vazhdon dhe shpif mbi imazhin tim do ndiqet në të gjitha rrugët ligjore”, thotë ajo ndër të tjera.
Lini një Përgjigje