TAGS-AT E JAVËS

Sport10 Qershor 2026, 18:22

Arbitrit iu refuzua hyrja në SHBA për Kupën e Botës, reagon Donald Trump: Kishte lidhje me organizatë terroriste

Shkruar nga Pamfleti
Arbitrit iu refuzua hyrja në SHBA për Kupën e Botës, reagon
Omar Artan-Donald Trump

Administrata e presidentit Donald Trump ka deklaruar se arbitrit somalez Omar Abdulkadir Artan iu refuzua hyrja në Shtetet e Bashkuara për shkak të asaj që autoritetet e cilësuan si “lidhje me anëtarë të dyshuar të organizatave terroriste”.

Artan ishte mes 52 zyrtarëve të ndeshjeve të përzgjedhur nga FIFA për të marrë pjesë në Kupën e Botës. Ai kishte mbërritur në Miami fundjavën e kaluar për t’iu bashkuar një kampi stërvitor të organizuar në Florida përpara nisjes së turneut.

Në një deklaratë për “The New York Times”, arbitri tha se kishte përmbushur të gjitha kërkesat ligjore për hyrjen në SHBA.

Kisha dokumentet e duhura” dhe “vizën e duhur” përpara se të udhëtoja drejt Shteteve të Bashkuara, si edhe akreditimin zyrtar nga FIFA si zyrtar ndeshjeje.

Sipas tij, vështirësitë nisën gjatë procedurave të kontrollit kufitar në Aeroportin Ndërkombëtar të Miamit. Artan tregoi se u mor në pyetje nga autoritetet amerikane për më shumë se 11 orë, përpara se të ndalohej në një qeli paraburgimi dhe më pas të deportohej drejt Stambollit, qyteti nga ku kishte nisur udhëtimin.

Pas interesimit të medias “The Athletic” pranë Shtëpisë së Bardhë për këtë rast, një zyrtar i lartë i administratës amerikane dha shpjegime mbi vendimin.

Pas një kontrolli më të hollësishëm nga CBP (Dogana dhe Mbrojtja Kufitare e SHBA-së), u zbuluan informacione komprometuese, duke përfshirë lidhjet me anëtarë të dyshuar të organizatave terroriste, çka e bën udhëtarin të papërshtatshëm për t’u pranuar në Shtetet e Bashkuara sipas Aktit të Emigracionit dhe Kombësisë (INA)”, deklaroi zyrtari.

Ai shtoi se arbitrit iu komunikua vendimi zyrtar për refuzimin e hyrjes në territorin amerikan.

Arbitrit iu refuzua hyrja dhe iu dhanë formularët e emigracionit që specifikojnë nenin e ligjit të përdorur për të kryer një dëbim të përshpejtuar sipas INA-s. Administrata e Presidentit Trump nuk do të lejojë asnjë kërcënim të sigurisë të hyjë në vendin tonë, pikë”, thuhet në deklaratë.

Deri tani nuk janë bërë publike prova konkrete apo detaje shtesë lidhur me pretendimet për lidhjet e dyshuara të Artan me persona të lidhur me organizata terroriste. Nga ana tjetër, arbitri këmbëngul se kishte dokumentacion të rregullt dhe autorizimet e nevojshme për të marrë pjesë në aktivitetin e organizuar nga FIFA në Shtetet e Bashkuara.

omar abdulkadir artan arbitri somalez donald trump presidenti amerikan

Lini një Përgjigje