Protestës qytetare që prej ditësh po zhvillohet para Kryeministrisë iu bashkua mbrëmjen e sotme edhe aktori i njohur Florian Binaj.
Mes duartrokitjeve të protestuesve, Binaj mbajti një fjalë të shkurtër, por me tone të forta ndaj qeverisë, ndërsa bëri thirrje për pjesëmarrje edhe në protestën e paralajmëruar në Rrjoll.
“Nesër të gjithë në 10 të shkojmë dhe t’u bashkohemi protestuesve në Rrjoll. Atë që u ke bërë shqiptarëve ta bëftë karma 10-fish”, deklaroi Binaj nga podiumi.
Prania e aktorit u prit me entuziazëm nga pjesëmarrësit, ndërsa ai u bë një nga figurat publike që ka zgjedhur të mbështesë hapur lëvizjen qytetare që tashmë ka hyrë në javën e tretë të saj.
Pas tij, në podium mori fjalën edhe një qytetare, e cila e lidhi festën e 35-vjetorit të Partisë Socialiste, të zhvilluar vetëm pak metra larg protestës, me trashëgiminë e ish-Partisë së Punës.
“Këto janë ditë të bukura dhe emocionuese, ka domethënie historike për të gjithë ne. Ajo që nuk ka shkuar që prej fillimit me këtë histori nuk është investitori, por mënyra si u trajtuan shqiptarët dhe hapat e ndjekur nga qeveritarët. Ish-Partia e Punës, që sot feston 35-vjetorin, qëkur ka ndryshuar emrin, ka vazhduar të prodhojë të njëjtën frymë pushteti dhe të njëjtën sjellje ndaj qytetarëve”, u shpreh ajo.
Qytetarja akuzoi socialistët për mungesë reflektimi dhe për përdorimin e presionit ndaj njerëzve që shprehin mendime ndryshe.
“Socialistët mirëbesojnë hajdutin. Nuk njohin as SPAK-un, as ligjin, nuk kanë asnjë frikë. I vetmi mjet që përdorin është presioni psikologjik ndaj çdo qytetari që shpreh edhe shqetësimin më të vogël. Kjo është ajo që po shohim prej vitesh dhe kjo është arsyeja pse kaq shumë njerëz kanë dalë në shesh”, deklaroi protestuesja.
Mbrëmja e sotme shënoi një tjetër tubim masiv para Kryeministrisë, ku qytetarë të ardhur nga zona të ndryshme të vendit përsëritën kërkesat për ndryshim politik dhe largimin e klasës së vjetër politike nga drejtimi i vendit.
Ndërkohë, organizatorët kanë paralajmëruar vijimin e protestave edhe në ditët në vijim, duke këmbëngulur se lëvizja tashmë ka kaluar kufijtë e një kauze të vetme dhe është shndërruar në një revoltë më të gjerë kundër mënyrës së qeverisjes dhe establishmentit politik në Shqipëri.
Në ditën e 13-të të protestës qytetare kundër Kryeministrit Edi Rama dhe establishmentit, janë shfaqur edhe flamujt e SHBA dhe BE-së që valëviteshin nga protestuesit në krah të flamujve kuqezinj.
Kjo është dita e parë, kur në protestat qytetare, ku thirrja më e shpeshtë është “Rama n’burg, Berisha n’burg’ apo ‘Ju erdhi fundi”, shfaqen edhe flamuj të aleatëve më të mëdhenj që Shqipëria ka: Bashkimi Europian dhe SHBA.

Duket se me flamujt amerikane dhe ato të BE-së, protestuesit po përcjellin një mesazh drejtuar aleatëve strategjikë për të kthyer sytë jo vetëm nga protesta, por te kriza që sipas tyre, ka prodhuar sistemi në Shqipëri.


Protestës së 13-të para Kryeministrisë i janë bashkuar emigrantë të shumtë. Një prej tyre i ardhur nga Londra u bëri thirrje shqiptarëve që t’i bashkohen kësaj proteste.
Gjatë fjalës së tij, protestuesi deklaroi se politika e 35 viteve të fundit i ka sjellë vendi disfata të madhe që kanë sjellë largimin e mijëra shqiptarëve nga atdheu. Ai deklaroi gjithashtu se Rama është tradhtar kombi.
“Për fatin tonë të keq, pas 35 vitesh i kanë sjellë vendit tonë vetëm disfata të mëdha. Rininë shqiptare e larguan. Një prej tyre jam edhe unë. U largova nga Shqipëria, sepse kjo klasë politike, po sigurohej që të më vriste edhe të ardhmen… 1 mln shqiptarë të larguar. Sot jemi në protestën e 13 dhe shqiptarët e vërtetë janë akoma. I bëj thirrje Diasporës dhe të rrëzojmë këtë sistem…Avokati i Popullit ku je? E nisë tradhtinë nga Londra. Rama tradhtar kombi, Sali Berisha statusit e non gratës ta jep Amerika dhe ta heq Edi Rama. U ka ardhur fundi, t’i bashkoheni Metës e Veliajt. Hidheni poshtë këtë sistem”, u shpreh ai…
Në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ zhvillohet dita e 13-të e protestës ku kërkohet dorëheqja e Kryeministrit Edi Rama.
Mijëra qytetarë janë mbledhur fillimisht në sheshin “Skënderbej” për të marshuar më pas drejt Kryeministrisë, nën thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg”.
Ashtu si edhe protestat e ditëve të mëparshme, edhe sot protestuesit kanë gjetur mesazhe pikante për Kryeministrin Edi Rama dhe kreun e PD-së Sali Berisha, që i bëjnë bashkëpërgjegjës për situatën që kalon vendi.
Në një prej tyre shfaqen dy protestues me veshje burgu, që mbajnë në fytyrë fotot e Berishësdhe Ramës, ndërsa ironizojnë: “burgu për burrat është”.


Një prej aktivistëve që hapi ditën e 13-të të protestë para Kryeministrisë tha se kreu i qeverisë ishte përpjekur t’i përçante dhe shantazhonte qytetarët, me antimitingje, por pa sukses.
“Kryeministri është përpjekur të na përçajë dhe shantazhojë me antimitingun e tij. Por mos u provokoni. Ta thërrasim krye hajdutin se e kemi afër, krye hajduti u përpoq të na shantazhojë”, tha ai mes të tjerash.
Më tej, duke apeluar e lëshuar një mesazh që u prit me ovacione nga qytetarët, përfundoi duke deklaruar se nuk do përçaheshin e dorëzoheshin deri në fund.
“Ai e vetmja gjë që mendon janë karriget. Turp. Në të gjithë historinë tonë janë përpjekur të na përçajnë, në të krishterë e myslimanë, në demokratë e socialist, por ne jemi këtu sot të bashkuar”, përfundoi aktivisti.

Qytetarët e mbledhur në protestën e sotme në Tiranë kërkojnë sërish largimin e kryeministrit Edi Rama. Ata kanë shprehur pakënaqësinë e tyre ndërsa akuzojnë Ramën për vjedhje.
Një qytetar tha se largimin e Ramës e kërkon e gjithë Shqipëria, teksa i bëri thirrje SPAK-ut që ta arrestojnë kryeministrin në zyrë.
“Vetëm rinia shqiptare ta marri këtë vend. Nuk ka pse Edi Rama të mos largohet. Kanë dalë 2 milion shqiptarë, 3 i ka nëpër botë. Ke dalë që ke vjedhur. Nuk të beson më ky popull. Edhe Berisha duhet të largohet. Rama t’i bëjë lojërat si të dojë, mos mendo se ky popull nuk kupton,. Largimin tënd e do e gjithë Shqipëria, e gjithë botë. I bëj thirrje të gjithë ndërkombëtarëve…Kam edhe një thirrje për SPAK, kjo që po bëni me popullin në mes të Tiranës do e paguani një ditë. Shkoni arrestojeni në zyre…ka dalë me vjedhje. Ka dalë gjithë ky popull dhe është turp. Tani ka ardhur koha të hapin rrugën, ta marrin të rinjtë është koha e tyre. Të largohen të dy forcat”, tha një qytetar.
Gjithashtu një tjetër qytetar është shprehur se duhet, të bëhet referendum.
“Referendum duhet sa më shpejt…në protestë dal për të drejtat tona. Hajdutët vetëm vjedhin…”, ka thënë ai.

Ditën e sotme mbahet protesta e 13-të kundër kryeministrit Edi Rama. Një shqiptar, i cili jeton në Angli i është bashkuar kësaj proteste. Thirrja e tij, është dorëheqja e kryeministrit Rama, teksa i bën apel shqiptarëve që të mos dorëzohen deri në largimin e Ramës.
Një tjetër shqiptar, tregon se ka ardhur nga Italia dhe i është bashkuar kësaj protestë për të rrëzuar qeverinë Rama.
“Janë mbyllur 600 komuna, në fshatra situata është e vështirë. I kanë shkatërruar… Kanë ikur në Itali, Gjermani për një copë bukë. Fshatrat e Shqipërisë janë boshatisur komplet. Më dhemb shpirti”, tha ai.
Një i moshuar deklaroi se është detyruar që ta marrë djalin e tij të mitur në punë, pasi nuk i siguronte dot të ardhmen dhe tashmë ai ka emigruar drejt Dubait. I revoltuar qytetari apeloi të rinjtë të mos frikësohen.
“E kam marrë djalin me vete në punë që 12 vjeç, i kam larë rrugët e Tiranës me lot. E arsimova dhe djali më tha që nuk e shoh të ardhmen. Im bir punon në Dubai dhe drejton 450 punonjës, përse të mos ishte këtu?
Sali Berisha nuk duhet të ekzistojë në faqen e dheut por ky doli më keq. A e sheh Edi Rama veten në pasqyrë? Po na shet të tërëve, rinia të dalë këtu dhe të mos ketë frikë. Jam i revoltuar nga ana shpirtërore, prandaj u bëj thirrje shqiptarëve të bëhen një trup i vetëm. Sot është dita e parë e çlirimit nga okupatori”, tha i moshuari në apelin e tij.

Edhe në ditën e 13-të, nuk mungon as ‘esenca’ e kësaj proteste, pankartat me mesazhe dhe ‘meme’ që shpalosin kreativitetin e të rinjve në këtë tubim...
Dita e 13-të e “Revolucionit të Flamingove” ka gjetur sërish mijëra qytetarët në shesh. Pas grumbullimit, ata kanë nisur më pas marshimin drejt Kryeministrisë.
Ashtu si në protestat e mëparshme, në shesh kanë nisur të dëgjohen sloganet që tashmë janë kthyer në simbol të protestës, ndërsa flamujt kuqezi dominojnë mes turmës.
Thirrje si; “Rama ik”, “Duam drejtësi”, “Atdheu nuk shitet”, “Shqipëri e Re”, “Bashkohuni me ne” dhe “Edi Rama ka mbaru”, dëgjohen në kor gjatë gjithë marshimit.
Edhe në ditën e 13-të, nuk mungon as ‘esenca’ e kësaj proteste, pankartat me mesazhe dhe ‘meme’ që shpalosin kreativitetin e të rinjve në këtë tubim.
Dita e 13-të vjen pas një marshimi maratonë një natë më parë, ku mijëra qytetarë qëndruan për orë të tëra në rrugët e Tiranës, duke kaluar nga bulevardi drejt zonës së Korpusit Universitar dhe më pas duke u rikthyer sërish në qendër të qytetit.
Ajo që bie në sy gjatë këtyre ditëve është fakti se protesta ka tejkaluar prej kohësh kauzën që e ndezi fillimisht.
Në rrugët e Tiranës nuk dëgjohen vetëm thirrje kundër qeverisë, por edhe kundër klasës politike në tërësi, duke reflektuar një pakënaqësi më të gjerë që shkon përtej një çështjeje të vetme.
Lini një Përgjigje