
Ka nisur aktiviteti i Partisë Socialiste për 35-vjetorin e themelimit, një organizim që prej ditësh është shoqëruar me debate politike dhe që po lexohet si një kundërpërgjigje ndaj protestave qytetare që kanë hyrë në ditën e 13-të.
Që në orët e para të pasdites, zona e Sheshit “Italia” dhe hapësira përreth stadiumit “Air Albania” u mbushën me socialistë të ardhur nga qarqe të ndryshme të vendit. Pamjet nga aktiviteti tregojnë një pjesëmarrje të madhe, pas mobilizimit të strukturave të partisë, deputetëve dhe drejtuesve lokalë, të cilëve u ishte kërkuar prej ditësh të siguronin pjesëmarrje sa më të lartë në festën e 35-vjetorit.
Aktiviteti u hap me shfaqjen e një dokumentari të shkurtër kushtuar Fatos Nanos, një prej figurave historike të Partisë Socialiste dhe ish-kryeministër i vendit. Pas dokumentarit, në skenë u ngjit Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, i cili mbajti fjalën përshëndetëse dhe foli për rrugëtimin 35-vjeçar të socialistëve.
Më pas, Klosi ia la vendin kryeministrit dhe kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili aktualisht po mban fjalën e tij para mijëra të pranishmëve.
Ndryshe nga përvjetorët e tjerë, aktiviteti është konceptuar rreth figurës së Ramës, i cili është edhe i vetmi folës politik i parashikuar në program. Socialistët po e ndjekin ceremoninë në këmbë, ndërsa në sfond shfaqen materiale audiovizive që pasqyrojnë historinë e partisë.
Ky 35-vjetor zhvillohet në një moment të pazakontë për Partinë Socialiste. Vetëm pak kilometra larg, qytetarët po organizojnë protestën e radhës kundër qeverisë, ndërsa figura të njohura të së majtës, mes tyre Arta Dade dhe Ditmir Bushati, kanë kërkuar reflektim dhe kanë kritikuar kursin aktual të partisë.
Lini një Përgjigje