
Braçe godet ministrokracinë dhe drejtorokracinë: PS ka nevojë për reflektim
Në ditën kur Partia Socialiste feston 35-vjetorin e themelimit, deputeti Erion Braçe ka zgjedhur të mos bëjë një mesazh festiv tradicional. Në një reagim të gjatë publik, ai ka vendosur theksin te socialistët e thjeshtë, reflektimi dhe përgjegjësitë që, sipas tij, duhet t’i mbajë drejtimi politik i partisë.
Braçe e nisi mesazhin me një homazh për ata që, sipas tij, kanë ndërtuar dhe mbajtur gjallë Partinë Socialiste gjatë këtyre 35 viteve.
“Socialistëve të thjeshtë, të zakonshëm, atyre që nuk mungojnë kurrë, atyre që janë gjithmonë, çdo herë; të përjetshmëve modestë; atyre që e themeluan, e mbrojtën, e shpëtuan, e rritën dhe e modernizuan; atyre që e kthyen në forcën më të madhe politike në vend, të hapur, përfshirëse, përfaqësuese të gjerë të interesave kombëtare dhe të shtresëzimeve të shoqërisë; atyre që këmbyen energjinë dhe fuqinë e tyre me njerëzit kudo, duke pasur një puls, në një marrëdhënie që transformohet vazhdimisht dhe ku njerëzit e thjeshtë janë gjithnjë burimi i fuqisë, modestisë dhe përulësisë që bën e tregon nder, shumë nder”, shkruan Braçe.
Deputeti socialist ndalet edhe te sulmet dhe kritikat që, sipas tij, po marrin socialistët në ditët e fundit, duke theksuar se përgjegjësia nuk duhet kërkuar tek anëtarësia, por te drejtuesit politikë.
“Dita e socialistëve që po sulmohen, shahen, fyhen e ofendohen kaq shumë këto ditë, padrejtësisht. Janë tërësisht të pafajshëm ata. Nuk i kanë borxh askujt për bindjet e tyre, zgjedhjet e tyre, betejat e tyre, fitoret e tyre. Kërkojeni tek ne përgjegjësinë! Ndaj, të paktën unë, i kërkoj ndjesë çdo socialisti për gjithçka që po vuan si sulm, dëgjon si fyerje e sharje ndaj tij. Duhet ta mbajmë ne këtë barrë, qoftë e vërtetë, qoftë keqinformim, dezinformim apo shpifje”, shprehet ai.
Një pjesë e rëndësishme e mesazhit të Braçes i kushtohet gjendjes së brendshme të PS-së dhe nevojës për reflektim. Ai flet për dëgjimin e socialistëve, përfaqësimin real dhe shmangien e praktikave që, sipas tij, deformojnë demokracinë e brendshme.
“Sot është dita për një reflektim të thellë, të gjerë, përfshirës. Për marrëdhëniet me socialistët, po, po me ta e për ta; për shqetësimet e tyre reale, njerëzore e politike, të meritës dhe përfshirjes, duke nisur nga më baziket: të fjalës që dëgjohet, të debatit që zhvillohet, të së drejtës që garantohet, të votës që zgjedh, të përfaqësimit që ndodh në këtë rrugë e nuk deformohet si njoftim njerëzish të pavotuar e të pavotueshëm, produkt i ministrokracisë dhe drejtorokracisë”, shkruan deputeti socialist.
Braçe paralajmëron gjithashtu për rrezikun e personalizimit të pushtetit dhe pasojat që kjo sjell për partinë dhe qeverisjen.
Mesazhi i plotë
Socialistëve të thjeshtë, të zakonshëm, atyre që nuk mungojnë kurrë, atyre që janë gjithmonë, çdo herë; të përjetshmëve modestë; atyre që e themeluan, e mbrojtën, e shpëtuan, e rritën dhe e modernizuan; atyre që e kthyen në forcën më të madhe politike në vend, të hapur, përfshirëse, përfaqësuese të gjerë të interesave kombëtare dhe të shtresëzimeve të shoqërisë; atyre që këmbyen energjinë dhe fuqinë e tyre me njerëzit kudo, duke pasur një puls, në një marrëdhënie që transformohet vazhdimisht dhe ku njerëzit e thjeshtë janë gjithnjë burimi i fuqisë, modestisë dhe përulësisë që bën e tregon nder, shumë nder.
Dita e socialistëve idealistë, atyre që ishin mbi të gjitha; historia e tyre nuk rishkruhet, nuk mundet. Është shkruar një herë me gjak, edhe gjatë opozitës së parë, edhe gjatë opozitës së dytë; me mund, sakrifica personale e familjare. Pa jetë apo në jetë, secili ndër ta është aty, në murin e socialistëve të meritës. Nuk e rrëzon dot kush atë mur; çdo kazmë mbi të është kazmë mbi vetë PS-në, mbi vlerat e saj më të mira, të çdo kohe, mes këtyre 35 viteve.
Kjo është dita e kujtdo në atë mur; edhe e jotja, Petro, Ermelinda, Çim, Ben etj., siç është edhe dita jote, Feim, Nazmi, Arshin, Nesim, Ali, Staver, Fadil, Tiku etj.; dita e çdo socialisti të tabanit, të themelit.
Dita e socialistëve që po sulmohen, shahen, fyhen e ofendohen kaq shumë këto ditë, padrejtësisht.
Janë tërësisht të pafajshëm ata. Nuk i kanë borxh askujt për bindjet e tyre, zgjedhjet e tyre, betejat e tyre, fitoret e tyre.
Kërkojeni tek ne përgjegjësinë! Ndaj, të paktën unë, i kërkoj ndjesë çdo socialisti për gjithçka që po vuan si sulm, dëgjon si fyerje e sharje ndaj tij. Duhet ta mbajmë ne këtë barrë, qoftë e vërtetë, qoftë keqinformim, dezinformim apo shpifje.
Ndërkohë, sot është dita për një reflektim të thellë, të gjerë, përfshirës.
Për marrëdhëniet me socialistët, po, po me ta e për ta; për shqetësimet e tyre reale, njerëzore e politike, të meritës dhe përfshirjes, duke nisur nga më baziket: të fjalës që dëgjohet, të debatit që zhvillohet, të së drejtës që garantohet, të votës që zgjedh, të përfaqësimit që ndodh në këtë rrugë e nuk deformohet si njoftim njerëzish të pavotuar e të pavotueshëm, produkt i ministrokracisë dhe drejtorokracisë; struktura që shfaqen e zhduken kohë pas kohe, duke dëmtuar marrëdhënie jetike mes socialistëve, thyejnë e prishin raporte të konsoliduara demokratike.
Mbi të gjitha, krijojnë hapësira ku parimet bien dhe personalizimi i pushtetit politik-partiak e ekzekutiv sjell gjithçka që e bën partinë dhe qeverinë e saj përgjegjëse për çdo abuzim individual me ligjin e jo vetëm, përfshirë punën dhe ekonominë.
Ndaj ju them të gjithëve ndjesë për gjithçka që nuk është përgjegjësi e juaja.
Reflektimi duhet të jetë një proces, kurrë një status, as thjesht një fjalë apo fjalim. Një parti e lirë i jep liri shoqërisë, e përdor lirinë si zhvillim të gjerë e të qëndrueshëm; një proces që rikthehet të kuptojë shoqërinë, të njohë interesat e ligjshme të çdo shtresëzimi të saj.
I kemi përballë, janë të dukshme, veçanërisht si interesa të një gjenerate të re që kërkon të dëgjohet, të pyesë e të marrë përgjigje, të kritikojë, të kundërshtojë, të votojë e të kundërvotojë, të vendosë për të ardhmen e saj, mënyrën se si dëshiron të jetojë, të zhvillohet, të punojë, të ndërtojë mirëqenien në këtë vend, duke nisur nga mirëqenia mjedisore dhe urbane.
Nuk duan të jetojnë siç jetuan prindërit e tyre. Duan të jenë pjesë dhe të kenë fuqinë natyrore që pushteti e kufizon dhe shpesh nuk e kupton.
Duhet të merremi me veten që të merremi edhe me ta; të pastrohemi seriozisht, të hapemi realisht, të përfshijmë sinqerisht, që të përfaqësojmë gjerësisht ide, bindje, vlera, sy, zëra, zemra, energji të reja, të ardhmen.
Kemi nevojë për këtë, jo vetëm sepse tani arritëm 35 vite, por edhe sepse jemi në mes të projektit më të madh politik që ky vend ka pasur që nga viti 1912: bashkimin me Evropën.
Duhet të arrijmë atje. Është drita që duhet të na udhëheqë.
Gjepupura, si ha rinia keto me, me te perballuni po jua mbajti. Mos harroni pas tyre jane prinder akoma me te revoltuar me kete katrahure qe quhet shtet e e perdorni si te doni per interesat tuaja. Pse kemi shtrenjt, energjine kur rrjedh uji lumenjeve me shumice qe na ka fale zoti, pse paguajme naften e ushqimet me shtrenjt se Kosova e Maqedonia kur ata e marrin nga portet tona. Pse rruga e kombit ka tra dhe ne Elbasan jo???? Ketyre pergjigjuni.