Në kulmin e debatit për projektin në Sazan dhe Zvërnec, Edi Rama zgjodhi festën e 35-vjetorit të Partisë Socialiste për të dhënë një mesazh mbrojtës ndaj kritikave dhe për të paraqitur bilancin e tij politik si garanci për të ardhmen europiane të vendit.
Gjatë fjalës para socialistëve të mbledhur në Sheshin “Italia”, Rama deklaroi se Shqipëria nuk ka qenë kurrë për shitje dhe se për të vendi mbetet një “amanet i shenjtë”, ndërsa sulmoi kundërshtarët politikë për akuzat që, sipas tij, kanë ngritur ndër vite ndaj qeverisë.
“Kur opozitarët tanë, të vjetrit e të rinjtë, shpërndanin para zgjedhjeve në makina, në xhama e nëpër shtëpi fletushka se ikën 110 milionë dollarë nga taksat, ai llum, i sjellë në Shqipëri nga tjetërkush më parë, jo vetëm që s’ka marrë asnjë qindarkë nga shteti shqiptar, por po përballet me drejtësinë në Belgjikë, ndërsa hidrocentrali i tij monstruoz iku për skrap”, tha Rama.
Kryeministri e lidhi më pas mandatin e socialistëve me procesin e integrimit europian, duke deklaruar se Partia Socialiste ka marrë përsipër një mision historik.
“Qëkur PS ka marrë përsipër misionin historik për të anëtarësuar Shqipërinë në Bashkimin Europian, Shqipëria s’ka qenë kurrë për shitje. Ky vend s’ka qenë kurrë më krijesë e kërrusur para askujt. Flamuri s’ka qenë as çarçaf patriotizmi të shtirur, as tortë për t’u ofruar. Për mua, Shqipëria është amanet i shenjtë në sytë, mendjen dhe zemrën time”, deklaroi ai.
Në një pjesë më personale të fjalimit, Rama u ndal edhe te rrugëtimi i tij në krye të Partisë Socialiste, duke kujtuar figurat historike të së majtës dhe veçanërisht ish-kryeministrin Fatos Nano.
“Dua të veçoj liderin historik, Fatos Nanon. Krenaria e shprehur publikisht për mua, edhe pasi marrëdhënia jonë kaloi në faza dramatike, kryesisht për të, mbetet për mua një vlerësim i veçantë”, tha kreu i socialistëve.
Rama pranoi gjithashtu se gjatë viteve në pushtet ka bërë gabime, por këmbënguli se ka vepruar gjithmonë me bindjen se po i shërben vendit.
“S’e kam bërë gjithçka mirë, kam gabuar jo një herë. Edhe pse kurrë nuk kam dashur t’i hyj në hak askujt, ka shumë të ngjarë ta kem bërë pa qëllim apo me vlerësim të gabuar”, u shpreh ai.
Në fund të fjalimit, kryeministri premtoi se do të vazhdojë të japë gjithçka për Partinë Socialiste dhe për projektin e integrimit europian.
“Unë do t’i jap PS-së pa kursim gjithçka kërkohet nga një lider dhe bashkë me PS ia kemi ngritur kokën Shqipërisë e çdo shqiptari që sot, kudo qoftë, thotë jam shqiptar, jam krenar. Dhe së bashku do ta çojmë Shqipërinë në majën ku dielli lind andej nga perëndon”, përfundoi Rama.
Deklaratat e kryeministrit vijnë në një moment kur qeveria po përballet me protestat më të mëdha të muajve të fundit, ndërsa vetë Rama po përpiqet të bindë socialistët se rruga e nisur prej PS-së mbetet e vetmja garanci për ta çuar vendin drejt Bashkimit Europian.
Lini një Përgjigje