Në 35-vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste, në një fjalim të gjatë që mbajti në ceremoninë e zhvilluar në sheshin “Italia”, Kryeministri Edi Rama ka sjellë në vëmendje punën e tij si kryebashkiak i Tiranës.
Rama renditi disa nga ato që i konsideroi si sukseset e tij në mbrojtjen e mjedisit, edhe pse identifikohet si kryebashkiaku dhe më pas Kryeministri që betonizoi Tiranën.
Duke iu referuar punës si kryebashkiak, Rama tha se la pas 55 mijë rrënjë pemë dekorative, të mbjella sipas tij me sherr, pasi duheshin prishur kjoskat dhe ndërtimet pa leje.
Gjatë fjalës së tij, Rama tha se dallimi mes tij dhe protestuesve nuk është aq i madh sa mund të perceptohet nga jashtë, duke theksuar se që nga fillimi i angazhimit në institucionet shtetërore ka punuar për përmirësimin e mjedisit dhe hapësirave publike.
Kryeministri solli në vëmendje periudhën kur drejtonte Bashkinë e Tiranës, duke kujtuar gjendjen e kryeqytetit rreth dy dekada më parë. Sipas tij, në atë kohë qyteti kishte më shumë pemë të prera sesa të mbjella, ndërsa pjesa më e madhe e pemëve që shihen sot në rrugët e Tiranës janë rezultat i punës së administratës së asaj periudhe.
“Kur dola nga zyra e kryetarit të bashkisë lashë pas 55 mijë rrënjë pemësh dekorative”, deklaroi Rama, duke shtuar se shumë prej pemëve të sotme kanë qenë dikur fidanë të mbjellë në kushte të vështira dhe mes kundërshtimeve që shoqëruan aksionet për lirimin e hapësirave publike.
Ai përmendi gjithashtu ndërhyrjet në lumin Lana, ku sipas tij janë larguar 123 mijë ton beton nga skarpatet, si pjesë e projekteve për rehabilitimin urban dhe përmirësimin e mjedisit.
Në vijim të deklaratës, Rama tha se përvoja në drejtimin e institucioneve i ka treguar se çdo përpjekje për ndryshim dhe zhvillim shoqërohet me kundërshti. Duke iu referuar shkrimtarit Faik Konica, ai citoi shprehjen: “Bëj durim, sepse shqiptari e ka zakon që kundërshton pa marrë vesh”.
Deklaratat e kryeministrit vijnë në një kohë kur debatet mbi zhvillimin urban dhe mbrojtjen e mjedisit vijojnë të mbeten në qendër të diskutimit publik.
Lini një Përgjigje