Mesazhi i heshtur i Uashingtonit, lëvizja e papritur e Kurtit dhe përplasja SHBA–Gjermani që po zhvillohet mbi territorin e Kosovës...
Letra e Donald Trump për Vjosa Osmanin, ku sipas të gjitha gjasave presidenti i SHBA-së ka vënë vetëm firmën pa e lexuar fare, nuk ishte një gjest i thjeshtë kortezie.
Ai dokument i Shtëpisë së Bardhë ishte qartësisht një thirrje nën armë për “ushtaren Vjosa”, pasi kjo e fundit u llastua pa fund nga “burri portokalli” dhe suita perandorake amerikane, të cilët nuk reshtin së përsërituri se në këtë botë ‘drekë falas’ nuk ka.
Letra e Shtëpisë së Bardhë i është dërguar Vjosa Osmanit ditën e largimit të saj nga zyra e Presidentes së Kosovës, me një orientim të qartë: që ajo të jetë liderja e opozitës për të larguar Albin Kurtin.
Albini, nga ana tjetër, nuk e ka kandiduar Vjosa Osmanin, edhe pse në fund të fundit, si presidente, ajo nuk do t’i prishte punë mazhorancës së madhe të Vetëvendosjes dhe qeverisë së tij.
Pavarësisht problemeve apo polemikave gjatë qeverisjes, një mandat i tretë i Albin Kurtit dukej i sigurt, madje edhe me opozitën në Presidencë, e cila përtej zhurmës nuk do të prodhonte efekt real. Në një farë mënyre, një situatë e ngjashme me atë të Ilir Metës, i cili me opozitën e tij të fragmentuar i dha Edi Ramës edhe dy mandate.
Por Albin Kurti e rrëzoi suksesin politik të dhjetorit, ku mori më shumë vota se në vitin 2021, duke pasur gjithë fuqinë për të qeverisur dhe për të miratuar ligjet që dëshironte, duke e futur vendin në zgjedhje. Në këto kushte, me një kundërshtar më shumë si Vjosa Osmani, fitorja nuk është më aq e sigurt.
A është Albin Kurti kaq i papërmbajtur sa të kërkojë të provokojë adrenalinën e vet? Logjikisht nuk ka arsye. Politika funksionon mbi dialektikë, numra, aleanca dhe konjukturë.
Në këtë kontekst, lind pyetja: a e bëri Kurti këtë lëvizje i detyruar? Dhe nëse po, nga kush? Nga ata që e sollën në pushtet, madje e rikthyen edhe pasi u përball me presion gjatë mandatit të parë të Donald Trumpit, pra nga gjermanët.
Këta të fundit, në Kosovë, prej vitesh po zhvillojnë një terren eksperimental për një përplasje të heshtur, por reale, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kjo betejë nuk nisi me ardhjen e Trump në Shtëpinë e Bardhë, por doli hapur si pasojë e stilit dhe performancës së tij të drejtpërdrejtë dhe shpesh teatrale.
Ishin gjermanët që ndikuan në largimin dhe më pas në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, i cili vazhdon të mbahet në Hagë. Po ashtu, ata vendosën që Vjosa Osmani nuk meritonte mbështetjen e tyre në momentin kur ajo doli publikisht dhe kërkoi lirimin e krerëve të UÇK-së.
Kjo është beteja reale që në Kosovë është bërë e dukshme dhe e fortë, por që fatkeqësisht i ka shkaktuar pasoja serioze vendit, edhe për shkak të standardeve të dyfishta të Gjermanisë.
Berlini nuk i ka dhënë qeverisë së Albin Kurtit shpërblimin që ajo priste për besnikërinë e treguar; qoftë në procesin e integrimit europian, qoftë në mbështetjen financiare direkte. Kjo, siç duket, lidhet me nevojën për të mbajtur të balancuar marrëdhëniet me Serbinë, ku interesat janë më të drejtpërdrejta, nga gjeopolitika te mineralet e rralla.
Në realitet, kjo status- quo po e lodh Kosovën. Por, si në çdo rast tjetër, fuqitë e mëdha këto i konsiderojnë si pasoja anësore.
Ndoshta jemi përballë një zhvillimi më të madh, ku Kosova ka pak hapësirë manovrimi. Megjithatë, për këtë duhet folur dhe diskutuar. Deri tani, si klasa politike ashtu edhe ajo mediatike, e kanë trajtuar këtë si një përplasje mes aktorësh lokalë, të cilët në fakt janë vetëm marioneta të lojtarëve të mëdhenj.
Kosova sot i ngjan një beteje të tipit të ‘Battle of Kosovo’, ku në thelb nuk përplasej thjesht Perandoria Osmane me disa princër ballkanikë, por Lindja me Perëndimin.
Jo rastësisht, në atë betejë u vranë Murati I dhe Lazar Hrebeljanović. Fituesit realë rezultuan të ishin Vuk Branković dhe Bayezid I, djali i Muratit, i cili mori për grua Marën, vajzën e Brankoviçit.
Më vonë, kjo figurë ndikoi në formimin e Mehmedit II, i cili do t’i jepte fund Perandorisë Romake me pushtimin e Kostandinopojës.
Nuk është rastësi që marrëdhëniet mes Serbisë dhe Turqisë jo vetëm që nuk u prishën, por shpesh kanë mbetur funksionale dhe pragmatike./Pamfleti
Me te vertete kujtoni se e vret mendjen njeri, aq me teper Gjermani apo USA, kush eshte presidentja e Kosoves? Magallomani patetike!