Në përgjithësi, deklaratat e Vuçiçit tregojnë një strategji të dyfishtë. Drejt Bashkimit Evropian, ai thekson nevojën për vendimmarrje më të shpejtë dhe më ambicioze, ndërsa kërkon një kuptim më të mirë të pozicionit të Serbisë…
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe Kryeministri Edi Rama duket se janë në të njëjtën gjatësi vale në kritikat e tyre ndaj Bashkimit Europian, madje të dy pothuajse përdorin ndikimin rus, kinez dhe Indian në Ballkan, si mjete presioni ndaj Brukselit.
Kryeministri Rama më 23 prill deklaronte se Evropa po e lë veten mënjanë kundrejt çdo marrëveshjeje të ardhshme paqeje midis Ukrainës dhe Rusisë duke shmangur angazhimin e drejtpërdrejtë me Moskën
“Evropa ka bërë një gabim të madh strategjik duke prerë çdo kanal me Rusinë. Evropa duhet të flasë gjithmonë, gjithmonë, gjithmonë me të gjithë”, deklaronte Rama, që ka shigjetuar kështu Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe kryediplomaten e BE-së Kaja Kallas, të cilët kanë shmangur kontaktin e drejtpërdrejtë me udhëheqësit rusë, përfshirë Presidentin Vladimir Putin.
Më herët, Rama u përpoq të përdorte Kinën si presion, kur gjatë një konference, deklaronte “po mos të ishte Shqipëria kaq e rëndësishme potencialisht, kinezët që janë civilizimi më i vjetër edhe tregtarët më të padiskutueshëm nuk do i kishin vënë syrin dhe nuk do e konsideroni Shqipërinë si “pikën e mjaltit” në gjithë Europën, apo jo?”.
Tre ditë pas kësaj deklarate të Ramës, Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, duke folur në një konferencë ndërkombëtare të organizuar në Chantilly të Francës mbi politikat globale, do të deklaronte se Europa po “humbet shumë beteja” dhe po mbetet prapa Shteteve të Bashkuara dhe Kinës në fusha kyçe si inteligjenca artificiale, robotika, siguria dhe mbrojtja.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje nga Thierry de Montbrial në lidhje me të ardhmen e Evropës dhe Bashkimit Evropian, Vuçiç tha se evropianët shpesh e mbivlerësojnë pozicionin e tyre në sistemin global, ndërsa nënvlerësojnë ritmin me të cilin fuqitë e tjera po përparojnë. Siç vuri në dukje ai, Evropa mbetet një nga kontinentet më tërheqëse në Botë, por nuk mund të injorojë rritjen e saj të ulët, presionet demografike dhe hendekun teknologjik që e ndan atë nga konkurrentët e saj kryesorë globalë.
Presidenti serb e lidhi pozicionin prapa të Evropës me mungesën e vendimmarrjes strategjike dhe të guximshme, duke argumentuar se kontinenti shpesh ecën ngadalë, i kufizuar nga proceset teknike dhe burokratike.
Vuçiç i dërgoi një mesazh të qartë Brukselit se rruga evropiane e Serbisë mbetet një zgjedhje strategjike, por nuk mund të shkëputet nga specifikat e politikës së saj të jashtme.
Në dallim nga Rama në raport me Brukselin, Vuçiç nuk nguron të përdorë edhe Rusinë dhe Indinë.
Në këtë kuadër, Vuçiç përsëriti qëndrimin se fuqitë e mëdha si Kina, India dhe Rusia nuk e kanë njohur pavarësinë e saj dhe nënvizoi se Serbia nuk mund të përputhet plotësisht me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian, ndërsa çështjet që i konsideron jetësore për sovranitetin e saj mbeten të pazgjidhura.
Referenca e tij ndaj Kosovës kishte gjithashtu një dimension më të gjerë. Vuçiç bëri një paralele midis mënyrës se si Perëndimi trajton shkeljet e integritetit territorial të Ukrainës dhe qëndrimit të tij ndaj Serbisë, duke argumentuar se Evropa duhet të zbatojë parimet e së drejtës ndërkombëtare në mënyrë konsistente. Duke vepruar kështu, ai e vendosi qëndrimin e Serbisë brenda një debati më të gjerë mbi besueshmërinë e rendit ndërkombëtar dhe rolin e fuqive të mëdha, shkruan Indipendent Balkan Neës Agency.
Në përgjithësi, deklaratat e Vuçiçit tregojnë një strategji të dyfishtë. Drejt Bashkimit Evropian, ai thekson nevojën për vendimmarrje më të shpejtë dhe më ambicioze, ndërsa kërkon një kuptim më të mirë të pozicionit të Serbisë. Brenda vendit, ai ruan iniciativën politike, duke e mbajtur të hapur opsionin e zgjedhjeve pa u zotuar për një afat kohor specifik.
Për Beogradin, momenti aktual ofron hapësirë për të negociuar ndikim, por gjithashtu mbart rreziqe. Kritikat ndaj Evropës mund të përforcojnë narrativën e një politike të pavarur serbe, megjithatë rruga evropiane mbetet një faktor kyç për ekonominë e vendit, klimën e investimeve dhe pozicionin ndërkombëtar.
Rama dhe Vuçiç bashkarisht i propozuan Brukselit një formulë të re për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Serbisë në BE përmes një procedure të përshpejtuar, por pa të drejtën e vetos. Formula e hedhur në tryezë nga Rama e Vuçiç nuk gjeti mbështetjen e Brukselit zyrtar, por as të Berlinit, që menjëherë i kujtuan vendeve që aspirojnë anëtarësimin në BE, që duhet të plotësojnë kushtet, veçanërisht ato në lidhje me shtetin ligjor. /Pamfleti/
Lini një Përgjigje