
Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë këtë të hënë, më 27 prill, në orën 11:00, një mbledhje të zgjeruar me ministrat e kabinetit dhe grupin parlamentar të Partisë Socialiste. Takimi është planifikuar të mbahet në Pallatin e Brigadave.
Gjatë mbledhjes pritet të raportojnë për ecurinë e procesit të integrimit europian Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, si dhe kryenegociatorja Majlinda Dhuka. Raportimi i tyre do të fokusohet kryesisht në Kapitullin 24, që lidhet me çështjet e drejtësisë, lirisë dhe sigurisë.
Takimi vjen në një moment kur qeveria ka dorëzuar në Kuvend raportin mbi progresin e procesit të anëtarësimit, ndërsa Shqipëria pret miratimin e pikave të ndërmjetme IBAR, të cilat konsiderohen kyçe për avancimin drejt mbylljes së kapitujve të negociatave.
Përveç integrimit europian, në mbledhje pritet të diskutohen edhe çështje të tjera që lidhen me koordinimin e punës së qeverisë, hartimin e nismave ligjore, si dhe strategjia politike e Partisë Socialiste në prag të zgjedhjeve vendore.
Lini një Përgjigje