Këtë të hënë pritet të mbahen në Parlament dy seanca brenda së njëjtës ditë, edhe pse jashtë goditën po mbahet një protestë.
Mësohet se Parlamenti pritet të votojë sot marrëveshjen e sjellë nga qeveria të premten, në kuadër të financimit të jashtëm ushtarak mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Marrëveshja nuk është pjesë e rendit të ditës, por pritet të bëhet e ditur nga kryetari i Kuvendit në nisje të seancës plenare, me qëllim që të shqyrtohet dhe miratohet me procedurë të përshpejtuar.
Pas njoftimit në sallën e Kuvendit, marrëveshja pritet të kalojë për shqyrtim në komisionet parlamentare, ndërsa deputetët do të rikthehen në një seancë të dytë plenare, e planifikuar në orën 15:00.
Për këtë orar, sipas burimeve, janë njoftuar deputetët e Partisë Socialiste.
Ndërkohë Parlamenti është futur në shtetrrethim nga Policia e Shtetit, e cila ka rrethuar godinën e Kuvendit me forca të shumta policore dhe ka bllokuar të gjitha rrugët hyrëse me kordone sigurie, në prag të protestës së paralajmëruar këtë të hënë.
Për t’i paraprirë situatave të mëparshme, policia ka marrë masa të shtuara sigurie, duke vendosur forca të shumta në terren dhe duke bllokuar akset që të çojnë drejt Parlamentit. Kordonet policore janë vendosur në disa pika kyçe, përfshirë kryqëzimin e rrugës së Elbasanit, zonën pranë Galerisë së Arteve dhe Ministrisë së Brendshme, si dhe në drejtim të ish-selisë së Partisë Demokratike.
Edhe këtë herë, organizatorët kanë bërë thirrje për mobilizim përballë Kuvendit, ndërsa nuk përjashtohen tensione dhe përplasje me policinë apo deputetët që do të hyjnë në Parlament, si ato të datës 23 korrik.
Ndërkohë, protesta pritet të rikthejë në qendër të debatit politik kërkesat kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, i cili ka prezantuar edhe dokumentin me emrin “Besa”, në përgjigje të kërkesave të shpalosura nga protesta.
Vëmendja do të jetë te mënyra se si do të menaxhohet tubimi dhe nëse protesta do të mbetet paqësore apo do të shoqërohet sërish me përplasje.
Lini një Përgjigje