Kryeministri Edi Rama do të mbledh drejtuesit politikë në selinë e Partisë Socialiste.
Mbledhja do të nisë në orën 8:30.Mësohet se PS mund të ketë edhe një seancë tjetër sot pasdite, në orën 15:00.
Planet janë që ta kalojnë sot në komision marrëveshjen me SHBA në fushën e mbrojtjes dhe më pas ta kalojnë në Parlament pasdite.
Ndërkohë një tjetër protestë është thirrur sot para Parlamentit në orën 8:30 para se deputetët të hyjnë në sallën e Kuvendit.
Sipas organizatorëve, protesta synon të ngrejë zërin kundër një institucioni që, siç pretendojnë ata, është shkëputur nga shqetësimet dhe interesat e qytetarëve.
Ndërkohë pritet që masat e sigurisë të jenë të shtuara.Zona përreth Parlamentit pritet të jetë e rrethuar nga forca të shumta policie, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë zhvillimit të protestës.
Edhe Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike do të zhvillojë një mbledhje në selinë blu për të vendosur qëndrimin që do të mbajë në seancën plenare.
Zyrtarisht, rendi i ditës përfshin miratimin e procesverbalit të seancës së kaluar, njoftimet dhe projektvendimin për ndryshimin e vendimit nr. 87/2026, që lidhet me caktimin e anëtarëve zëvendësues në përbërjen e komisioneve të përhershme parlamentare.
Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse gjatë seancës do të futet për miratim edhe marrëveshja mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në fushën e mbrojtjes, çështje që pritet të jetë edhe arsyeja kryesore e mbledhjes së Grupit Parlamentar të PD-së përpara nisjes së seancës.
Lini një Përgjigje